Nga PETRIT HALITI*

Ngjarja më e shënuar e marrëdhënieve shqiptaro-greke, që nga betimi i kryeministrit të ri, Aleksis Cipras, është telefonata e urimit që i bëri atij që të nesërmen kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastasios Janullatos. Nuk ka informacion se çfarë kanë diskutuar kryepeshkopi ortodoks me kryeministrin ateist të Greqisë. Duke pasur parasysh se kryepeshkopi ortodoks i Shqipërisë nuk i ka bërë telefonata urimi as Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, as Kryeministrit të Italisë, Mateo Renzi, dhe as Kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, madje as edhe Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nga kjo ngjarje e rrallë fetaro-politike mund të mendohet se marrëdhëniet shqiptaro-greke mund të marrin një vend preferencial në axhendën tejet të ndezur dhe të tejngarkuar të kryeministrit të ri grek.

Është e kuptueshme se politika e jashtme e kryeministrit të ri të Greqisë do të marrë figurën dhe formën e borxheve, që arrijnë 170 të produktit të përgjithshëm kombëtar grek. Qeveria dhe diplomacia greke do të ecin duke mbajtur kryqin e pambajtshëm të borxheve, në një kalvar që nuk do t’i lejojë t’u bjerë ndër mend për ëndrra rajonale apo kontinentale. Qeveria dhe diplomacia greke, duan apo nuk duan, do të përqendrohen në platformat e negocimit të borxheve të shtetit, i cili shmangu katastrofën financiare, dhe jo vetëm financiare, gjashtë vjet më parë, pikërisht në sajë të arkës së Bashkimit Europian dhe falë gjenerozitetit të Gjermanisë, sulmet ndaj së cilës nuk dihet pse janë bërë devizë e qeveritarëve të rinj në marrëdhëniet me jashtë. Si politikan me formim marksist dhe majtist, kryeministri i ri grek e di me siguri se politika e jashtme është vazhdim i politikës së brendshme dhe pa një potencial të madh të brendshëm ekonomik e financiar nuk mund të kërkosh paralele dominimi apo madhështie në fushën e politikës së jashtme. Por në Ballkan, si rregull, kryeministrat nuk e kanë qejf realpolitikën dhe as vështrimin realist të takatit të vendit të tyre. Për sa u përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, kryeministrin e ri të Greqisë dhe ministrin e ri të Jashtëm, së pari e mësuan keq qysh në fillim ata, që ishin deri tani në pushtet në Athinë, dhe për të cilët kryeministri është shprehur se e kanë poshtëruar Greqinë për pesë vjet. Në një takim të përbashkët të zhvilluar gjatë ceremonisë së dorëzimit të postit të ministrit të Jashtëm, zëvendëskryetari i qeverisë dhe ministër i Jashtëm deri në 25 janar, Evangelos Venizellos, porositi qeverinë e re që për të ashtuquajturën marrëveshje të detit, të ndjekë vijën e kompletimit të procedurave për vlefshmërinë dhe për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje mes dy vendeve. Venizellos po e fut që në fillim në një rrugë të shtrembër qeverinë re të kryeministrit Cipras për sa u përket marrëdhënieve shqiptaro-greke. Venizellos e di fare mirë që e ashtuquajtura marrëveshje e detit, që realizoi qeveria e kryeministrit Sali Berisha me qeverinë e kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, në prill të vitit 2009, jo vetëm është e pavlefshme dhe nul nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por në bazë të vendimit të Gjykatës, është e pavlefshme dhe e paligjshme edhe në objektin e saj. Venizellos dhe qeveria e tij e deritanishme e koalicionit me të djathtën, tentoi kaq kohë që t’ia impononte qeverisë së kryeministrit, Edi Rama, të ashtuquajturin validitet të marrëveshjes së pavlefshme. Edi Rama nuk mund të mohojë vetveten dhe të fshijë aktin historik, të ndërmarrë kur ai ishte kryetar i Partisë Socialiste, e cila dërgoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen dëmtuese të integritetit territorial të Shqipërisë, që nënshkruan ministrat e Jashtëm të asaj kohe, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis. Përgjigjja që ka marrë qeveria greke nga qeveria shqiptare për këto përçapje antirealiste, deri tani ka qenë e prerë, se marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të ecin përpara me pretendime ringjalljesh marrëveshjesh të vdekura. Miti i ringjalljes i takon fesë, jo diplomacisë dhe as drejtësisë. Ndaj porosia e Venizellosit e fut qeverinë e re greke në rrugë pa krye për marrëdhëniet dypalëshe. Nga ana tjetër, Venizellos në trashëgiminë e porosive të tij futi edhe çështjen e minoritetit grek në Shqipëri, karta e madhe e presionit permanent të diplomacisë greke me qeveritë e dobëta shqiptare, të djathta dhe të majta, gjatë gjithë periudhës postkomuniste.

Së dyti, kryeministri i ri grek, i cili nuk ka përvojë ndërkombëtare dhe as ekspertizë për marrëdhëniet shqiptaro-greke, qysh kur ishte në opozitë, ka marrë të mirëqena qëndrimet fabrikate të qeverisë greke për çështje të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Në një prononcim për të ashtuquajturën marrëveshje të detit, pak ditë para fitores në zgjedhje, Cipras shprehu pakënaqësi pse qeveria greke nuk kishte ushtruar presion më të madh për t’i imponuar qeverisë së Edi Ramës pranimin e marrëveshjes së detit. Por ajo që tërheq vëmendjen, është se Cipras kritikoi qeverinë greke se përse nuk ka shfrytëzuar nevojën e Shqipërisë për votën greke gjatë procesit të anëtarësimit në NATO dhe në BE, që ta detyrojë Tiranën të pranojë marrëveshjen e anuluar të detit. Kjo që thotë Cipras, dy javë para se të bëjë betimin si kryeministër, nuk është ndonjë gjë e re. Sepse diplomacia greke mbi këtë bazë ka ndërtuar gjithmonë marrëdhëniet me Shqipërinë, mbi bazën e shantazhit. Është metoda që ka përdorur edhe ndaj Maqedonisë, edhe ndaj Turqisë, lidhur me anëtarësimin e tyre në BE. Sa për Shqipërinë në NATO, atë e futi SHBA, dhe vështirë se do të kishte qeveri greke, qoftë të majtë e qoftë të djathtë, që ta pengonte strategjinë amerikane. Sa për BE-në, Greqia ka të drejtën e vetos dhe mund ta përdorë për shtyrjen e hapjes së bisedimeve të pranimit. Por kjo është një çështje që ha diskutim. Së pari, asnjë qeveri shqiptare nuk mund të cedojë integritetin territorial për hatër të anëtarësimit në BE. Sovraniteti dhe integriteti territorial janë më të rëndësishëm sesa integrimi. Së dyti, Greqia nuk është brenda në BE në pozitën, që t’i imponojë Brukselit edhe bllokimin e Shqipërisë, pas bllokimit grek të Maqedonisë. Por qëndrimi i Cipras është sinjifikativ dhe është një paralajmërim i fortë ndaj qeverisë dhe ndaj diplomacisë shqiptare se çfarë presioni dhe çfarë restriksionesh mund të përballen me qeverinë e re greke. Nga ky kuadër duket se qeveria e kryeministrit Cipras ka predispozicionin të futet dhe të vazhdojë rrugën e gabuar, që ndoqi Venizellosi, i cili dhe pas pesë vjetësh të anulimit të së ashtuquajturës marrëveshje të detit, vazhdon refrenin e ratifikimit të një gjëje të vdekur dhe pa vlerë. Është një moment nevralgjik në marrëdhëniet dypalëshe, që kërkon analiza edhe nga qeveria shqiptare, edhe nga diplomacia shqiptare, në zgjidhjen e rebusit nëse Cipras do të arrijë të kuptojë se me Shqipërinë duhet folur ndryshe, që do të thotë se politika greke duhet ta trajtojë Shqipërinë si shteti i barabartë aleat i NATO-s dhe fqinj, që nuk e ka ekzistencën të varur nga Athina. Nëse në kohën që Greqia është një barkë financiare, që fut ujë në të katra anët, qeveria e Ciprasit guxon dhe flet me një gjuhë revolucionare dhe aspak diplomatike dhe as etike për Gjermaninë, e cila e shpëtoi nga fundosja gjashtë vjet më parë, dhe i hedh dorezën e sfidës Bashkimit Europian se Cipras do ta shpëtojë Greqinë nga pesë vjet poshtërimi (nga BE), duhet të mendojë se Shqipëria nuk ka kordon ombelikal as me investimet greke dhe as me tregtinë me Greqinë. Sa për tezën e sindromës së inferioritetit se Shqipëria duhet t’i përkulet Greqisë se janë emigrantët tanë atje, një kartë që Athina e luan prej 24 vjetësh me qeveritë e dobëta shqiptare, duhet bërë e qartë si në Tiranë, ashtu dhe në Athinë, se çështja e emigrantëve nuk determinon sovranitetin dhe integritetin e shtetit. Sepse, nëse Greqia ka zyrtarisht rreth 380 mijë emigrantë shqiptarë, Italia ka mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë dhe kjo nuk do të thotë se Shqipëria duhet të darovisë me hapësira detare apo tokësore qeveritë e atyre shteteve. Përfaqësues të mazhorancës qeverisëse dhe të opozitës në Tiranë, të rrëmbyer nga emocionet ideologjike, drejtuan thirrje patetike që të votohej për “Nea Demokratia” apo për Ciprasin. Të dyja palët harronin që votat ndaj partive pretendente në Greqi nuk ishin vota për çështjen shqiptare, por për platformën apo programin politik dhe ekonomik të partive greke, që do të vinin në pushtet, gjë që emigrantët shqiptarë e zgjidhnin vetë se për kë të votojnë. Kompleksi i inferioritetit, që ende sundon në forcat politike shqiptare ndaj Greqisë, e dha dëshminë e vet me fushatën elektorale greke.

Predispozicioni jo inkurajues i kryeministrit Cipras shfaqet edhe në qëndrimin e tij ndaj Kosovës, që është pjesë e pandarë e çështjes dhe e kombit shqiptar. Në 6 dhjetor të vitit të kaluar, Cipras zhvilloi bisedime në MPJ të Serbisë në Beograd, me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, dhe në komunikatën zyrtare të publikuar në websajtin e MPJ-së të Serbisë lexohet se Cipras u ritheksoi qëndrimin e pandryshuar kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Qëndrimi ndaj Kosovës është gur prove i qëndrimit ndaj shtetit shqiptar, ndaj popullit shqiptar, ndaj kombit shqiptar. Të njëjtin qëndrim të ngurtë pritet të mbajë Cipras ndaj çështjes çame, një nga çështjet më të mprehta të pazgjidhura të dosjes dypalëshe, dhe duken folklorike shpresat e ndonjë kthese nga kryeministri i ri, i cili e ka origjinën nga trevat e Çamërisë. Disa levantinë ekranesh në Tiranë paraqesin si zbulim të tyre një të vërtetë të thjeshtë, se kryeministrat apo kryetarët e partive ndryshojnë qëndrimet kur marrin pushtetin. Nuk mund të gjendet levantin në Tiranë që të vërtetojë se njëra apo tjetra qeveri në Greqi, qoftë e djathtë, qoftë e majtë, kanë qenë të sinqertë me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar. Marrëdhëniet me Shqipërinë hyjnë në ato përcaktime strategjike të qeverive dhe të diplomacisë greke, që nuk ndjejnë as efektet e kohës dhe as efektet e ndryshimeve rajonale apo kontinentale. Në këtë drejtim, vështirë se mund të pritet ndonjë kthesë rrënjësore e qëndrimeve greke me kryeministrin e ri grek ndaj Shqipërisë. Disa qëndrime strategjike greke janë të ngurosura, siç po paraqitet e ngurosur dashuria e kryeministrit të ri për Rusinë, që është e njëjtë si në opozitë, ashtu dhe tani që fitoi postin e kreut të ekzekutivit. Në majin e vitit të kaluar, Aleksis Cipras zhvilloi një vizitë në Moskë, ku deklaroi të njëjtat qëndrime si Rusia për çështjen e Ukrainës, duke shpallur se ai nuk e njeh qeverinë e re të Ukrainës, që zëvendësoi qeverinë e presidentit prorus Janukoviç, dhe se ai me gjuhën e shtypit qeveritar rus dënoi “pjesëmarrjen e fashistëve dhe nazistëve në qeverinë e Ukrainës”. Dhe sapo u bë Kryeministër i Greqisë, të parin priti ambasadorin e Rusisë, që i dorëzoi një letër të Vladimir Putinit, u distancua nga rezoluta e BE-së e 26 janarit, që dënonte krimet e separatistëve prorusë dhe ritheksoi se kundërshton sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Të njëjtin predispozicion negativ, si në opozitë, ashtu dhe tani në postin e kryeministrit, ai ka shprehur ndaj Bashkimit Europian. Për sa i përket qëndrimit ndaj NATO-s, për të cilin ai kishte deklaruar në opozitë se do të kërkojë daljen e Greqisë nga NATO, ndërsa tani deklaron se nuk e rreshton ndër prioritetet e qeverisë largimin nga NATO dhe as dëbimin e bazës amerikane të Kretës, kjo nuk vjen nga qëndrimi më realist i Ciprasit si kryeministër, por nga e vërteta e madhe se ai nuk do të mund ta nxjerrë dot Greqinë nga NATO para se të nxirret vetë nga skena politike. Aleksis Cipras është me origjinë ideologjike e politike komuniste, internacionaliste, revolucionare, dhe të gjitha cilësimet, që mund t’i thuhen një fansi të Marksit dhe të Çe Guevaras. Por në politikën e jashtme ai do jetë thjesht dhe vetëm grek. Këtë e theksoi jo rastësisht edhe ministri i tij i Jashtëm, Nikos Kotzias, i cili në ceremoninë e marrjes së detyrës në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, deklaroi se “ne dëshirojmë të jemi grekë”. Kaq është e mjaftueshme për të zbritur në tokë dhe për të skicuar prognozën e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Cipras në politikën e jashtme është grek.

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: