ATHINE– Migracioni është një problem europian dhe duhet të trajtohet nga Europa në bazat e solidaritetit dhe të ndarjes së drejtë të përgjegjësive, duke respektuar ligjin ndërkombëtar.
Tek kjo çështje pritet të ndalhet kryeministri grek, Aleksis Cipras në darkën e liderëve të BE-së në samitin informal që do të zhvillohet nesër në Salzburg, Austri, sipas burimesh pranë kryeministrit.

Të njëjtat burime thonë se kryeministri grek do të theksojë nevojën që Europa të japë një zgjidhje të kuptueshme për këtë problem, duke shtuar se Greqia do të mbështesë ngritjen e menjëhershme të një Roje Kufitare dhe Bregdetare Europiane që do të përfshijë edhe një mekanizëm europian të kthimit.

Ciprasi do të mbështesë gjithashtu edhe ngritjen e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile (RescEu), që do të mbështesë shtetet anëtare me më shumë mjete për t’u përballur me katastrofat natyrore, duke theksuar se zjarret në Greqi, Portugali, Francë, Suedi dhe vende të tjera e kanë bërë këtë çështje shumë të rëndësishme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb