strong>GREQI-Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh optimist për arritjen e një zgjidhjeje për një kohë të shkurtër përsa i përket marrëveshjes së ndërmjetme, në fjalimin e mbajtur në takimin e Këshillit të ministrave, sipas burimeve qeveritare.

”Jam optimist që ndodhemi pranë zgjidhjes e cila do të jetë në kuadrin e mandatit popullor që kemi marrë dhe që do të përcaktohet nga vijat e kuqe që kemi vendosur”, nënvizoi Aleksis Cipras gjatë informimit që u bëri pjesëtarëve të këshillit të ministrave për ecurinë e negociatave.

Të njëjtat burime theksuan se kryeministri analizoi para ministrave të gjitha zhvillimet dhe në cilat pika gjenden ato. Më tej, burimet vunë në dukje se qeveria dëshiron të ketë marrëveshje deri më 11 maj apo edhe më herët, ndërsa mbetet e hapur mundësia që të kërkohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Eurogrupit.

Pala greke synon përshpejtimin e bisedimeve me institucionet dhe konsideron se është e mundshme thirrja e mbledhjes së jashtëzakonshme të Eurogrupit të hënën, 4 maj, ku do të evidentohet progresi i negociatave.

Oferta e palës greke, sipas të njëjtave burime, parashikon që në fazë të parë të jepet një mesazh politik ndaj Bankës Qendore Europiane që do t’i mundësojë heqjen e kufizimeve që ka vendosur në lidhje me financimin e sistemit kreditues grek.

Në fazën të dytë, theksojnë burimet, do të diskutohen edhe çështjet e tjera të mprehta, me objektiv arritjen e një marrëveshjeje finale, të cilën Eurogrupi e ka parashtruar si kusht të domosdoshëm për disbursimin e fondeve që i janë akorduar Greqisë në bazë të kredisë së kontraktuar.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: