Sekretari për Çështjet Ligjore në PD Çlirim Gjata në një intervistë të dhënë në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se 30 qershori u varros sot si datë zgjedhjesh dhe në vend të saj u vendos data 13 tetor.

Gjata shpjegoi se është e drejtë e presidentit të dekretojë datën e zgjedhjeve,

“Nuk kemi dy data, por kemi një datë. Kjo sepse datën e parë presidenti e ç’dekretoi. Më lejoni t’iu them se dekreti për datën është ekskluzivitet i kreut të shtetit. Pra kjo datë 13 tetori vepron në kohë dhe shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë. Vetëm presidenti ka të drejtë që ta shfuqizojë këtë. KQZ është institucion i thjeshtë legjislativ, ndërsa presidenti është organ më i lartë kushtetues. Kjo është ana juridike. Është ekskluzivitet totalisht i presidentit. 30 qershori është varrosur, nuk ekziston më. Mirë është të tërhiqet z. Rama dhe t’i hapë rrugë dialogut”, tha Gjata.

Ai shtoi se opozita nuk hyn në zgjedhje me këtë situatë politike, sociale dhe ekonomike ku ndodhet Shqipëria.

“Opozita nuk ka parë datën. Nuk u arrit zgjidhja dhe Meta vendosi datën 13 tetor. Presidenti dhe opozita sillen kështu dhe nuk ndryshojnë kushtet, pasi kemi paratë e krimit dhe të drogës. Opozita nuk hyn në zgjedhje pa realizuar standardet nuk hyn në zgjedhje. A mund të bëhen zgjedhje kur ata personat në Dibër, iu ka dalë emri në përgjime dhe vazhdojnë të punojnë bindshëm, madje shpërndajnë materiale zgjedhore. Nuk di nëse ka qenë në kohën e nazizmit që të ketë lista emrash. Nuk hyhet në zgjedhje në këto kushte”, deklaroi Gjata.

Ai tregoi se fitorja e opozitës nuk është te data e zgjedhjeve, por te konstatimi i gjendjes në vend.

“Fitorja e opozitës nuk është te data, por te konstatimi i situatës politike në vend. Opozita e ka bërë me dije se nuk shkohet në zgjedhje me Agët e me Keshët, e me Avdylajt. Nuk ka siguri që ka zgjedhje të lira e të ndershme. Pa u rregulluar këto, nuk ka zgjedhje. Cila është rruga? Të ulet Edi Rama dhe ta diskutojë. Ka pakënaqësi në popullin shqiptar. Në momentet që PD ka djegur mandatet, kishte protesta të studentëve, të cilat janë tentuar që të shmangen, por ata ia dolën të triumfojnë. Opozita është menaxhuese e pakënaqësisë popullore”, sqaroi Gjata.

Juristi Gjata shpjegoi se nuk do të njihen kryebashkiakët që do të dalin nga zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa tha se Rama po tenton grusht shteti.

“Nuk do të njihen kryebashkiakët e rinj. E gjitha që ne duam është që të ndryshojë ekonomia. Ne duam të ikë Edi Rama. S’ka rrugë tjetër ose do të tërhiqet ose do arrestohemi të gjithë. Rama po tenton grusht shteti. Rama po tenton zgjedhje pa opozitën, duke tentuar të bëjë grusht të shtetit. Ai ka kapur parlament, qeveri, bashkitë, drejtësinë, ka kapur çdo pushtet. Presidenti Meta ia dha sot mundësinë që të jetë normal, por Rama s’do t’ia dijë aspak. Deri tani opozita ka pasur sukses. Opozita nuk do sepse edhe institucionet do i kishte marrë. Por thjesht opozita do të tregojë se nuk do njohë zgjedhje, nuk do ketë zgjedhje. Kauza e opozitës është ndërkombëtarizuar. Opozitarët sot janë pa imunitet. Sa herë ka skandale qeveritare dhe përgjime, Prokuroria thërret Bashën”, tha Gjata.

Clirim Gjata theksoi se për herë të parë shqiptarët u ngritën të bashkuar kundër skandaleve të qeverisë, ndërsa nënvizoi se shtyrja e zgjedhjeve nuk është ndonjë precedent me rrezik.

“Zaev fitoi sepse kishte me vete shqiptarët. Ishin shqiptarët ata që ia dhanë fitoren Zaevit. Ndërkombëtarët njëherë të ndihmojnë, njëherë jo. Shqiptarët vetë duhet të bëhen të vetëdijshëm, pastaj përgjimet i nxori media e huaj. Ka shumë edhe nënkryetari i CDU që tha ndiqni dekretin e Metës. Ndërkombëtarët thanë që mos ketë dhunë dhe dhunë nuk ka pasur. Këto zgjedhje varrosën mitin e ndërkombëtarëve. Zgjedhje në këto situata nuk mund të bëhen. Kurz dha dorëheqjen, nuk priti vendim gjykate, sepse doli populli në dorë. Marrim 21 janarin, Meta dha dorëheqjen. Nuk dalin në gjykatë ata që dalin nëpër përgjime.

Nuk mund ta them precedent me rrezik. Shqipëria ka pasur shumë raste të tilla. Meta hyri që të qetësojë situatën. Data 30 u varros. Rama është i kapur nga krimi. Krimi e ka kapur. Nuk duhet ta kishte lënë veten të zhytej kështu. Nuk ëhstë precedent i rrezikshëm, ka ndodhur edhe më herët shtimi i zgjedhjeve. Njihen rastet kur shtyhen zgjedhjet. “, përmbylli Gjata.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb