Nga: JETON SELIMI*
Triumfi i pestë radhazi në kampionatin shqiptar duket se ka shtuar urinë e presidentit të korçarëve, Ardjan Takaj, për të synuar një arritje historike edhe në Kupat e Europës. Objektivi i bardhekuqve është faza e grupeve e Champions ose Europa League, por për të shkuar deri atje nevojitet një sulmues goli dhe që ndihmon skuadrën, rol që në të shkuarën e ka mbuluar Pero Pejiç. Sipas burimeve pranë klubit korçar, objektivi i Mirel Josës është gjiganti serb i Partizanit, Stevan Raçiç, autor i 14 golave me fanellën e kuqe. Raçiç ka spikatur për lojën e fortë fizike në vijën e parë të sulmit, ndërsa ka fituar edhe shumë penallti. Gjithsesi, duket e vështirë që Duro të heqë dorë nga beniamini i rij, të cilin e solli vetë te Partizani.
Lajmi, që nëse do të zyrtarizohej do të ishte vërtet i bujshëm, mund të sjellë ndryshe sa u takon të dyja skuadrave, qoftë në strategjinë e merkatos verore, qoftë edhe në koncept loje, duke qenë se te Skënderbeu një pykë e vërtetë mungon, ndërsa te Partizani nuk kanë asnjë skemë tjetër loje veç asaj pa një pykë që të mbajë ekipin para. Oferta e bërë nga presidenti Takaj është vërtet joshëse, 65 mijë euro në sezon për sulmuesin serb, që te Partizani, sipas asaj që flitet, nuk përfiton as gjysmën e shumës së lartpërmendur. Por, për të shkuar deri te firma, dy janë kleçkat që kanë mbetur për t’u zgjidhur. E para ka të bëjë me dëshirën e lojtarit, që te Partizani ndjehet vërtet mirë dhe pret të rinovojë me të kuqtë dhe natyrisht me rritje page. E dyta ka të bëjë me lidhjen e fortë mes trajnerit Shpëtim Duro dhe gjigantit serb. Sulmuesi 193 cm i gjatë ishte i panjohur për opinionin shqiptar dhe ka qenë vetë Duro, ai që u është kundërpërgjigjur skeptikëve, duke marrë në mbrojtje lojtarin në ndeshjet e para, ndërsa më pas u vërtetua se Raçiç ishte vërtet një bast i fituar për trajnerin të kuqve. Megjithatë, pritet edhe zyrtarizimi i Partizanit në Ligën e Europës, për të mësuar se çfarë do të ndodhë me sulmuesin serb të të kuqve.
Ademir
Pas një bisede me presidentin Takaj, gjithçka është zgjidhur më së miri dhe duket se braziliani Ademir, që prej tri vitesh është pjesë e Skënderbeut, do të rikthehet të luajë me bardhekuqtë. Mbrojtësit brazilian, i rikuperuar tashmë plotësisht nga ai dëmtim i keq, i është prerë bileta e udhëtimit nga Brazili në Tiranë dhe pritet që të vijë në datën 10 qershor për të rinovuar kontratën edhe për një sezon tjetër si pjesë e Skënderbeut.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb