Nga: LORENC RABETA*
TIRANE- Në harkun kohor të një viti tarifat e sh kollimit janë rritur me 11,2%, ato të pijeve alkoolike e duhanit me 7,7%, ndërkohë që të njëjtin fat kanë pësuar edhe grupe të tjera produktesh e shërbimesh. Të dhënat vijnë përmes Institutit të Statistikave, i cili ka publikuar dje, indekset e çmimeve të konsumit për muajin nëntor dhe ndryshimet krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me nëntorin e vitit 2013, rritje me 10% ka shënuar çmimi i zarzavateve me 10%, ai i frutave me 8,4%, si dhe nëngrupi ‘qumësht, djathë e vezë’ me 3,2%. “Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin nëntor 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Shërbimi arsimor’ me 11,2%, pasuar nga grupi ‘Pije alkoolike dhe duhan’ me 7,7%. Çmimet e grupit ‘Mallra dhe shërbime të ndryshme’ dhe ‘Komunikimi’ u rritën me 3,6%. Çmimet e grupit ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ u rritën me 2,1%. Brenda këtij grupi, çmimet e nëngrupit ‘zarzavate përfshirë patatet’ janë rritur me 10,0%, pasuar nga nëngrupi ‘fruta’ me 8,4%, nëngrupi ‘qumësht, djathë e vezë’ me 3,2%, nëngrupi ‘peshk’ me 2,3 % etj. Çmimet e nëngrupit ‘vajra dhe yndyrna’ u ulën me 7,4%, pasuar nga nëngrupi ‘kafe, çaj e kakao’ me 3,3%, ‘sheqer e ëmbëlsira’ me 1,9% etj. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Shëndeti’ me 5,3%”, theksoi INSTAT në publikimin e djeshëm.
INFLACIONI
Sipas INSTAT-it, në muajin nëntor 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,7%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,0%. Rritja vjetore në muajin nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,84 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,28 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,18 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar respektivisht me +0,16 dhe +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,18 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. NDRYSHIMI MUJOR Ndërkaq, ndryshimi mujor i indeksit është -0,2%. Krahasuar me muajin tetor 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,5%, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 4,1%. Ulja mujore më e madhe vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,9%. Gjatë muajit nëntor çmimet e grupit “Transport” u ulën me 0,4%. Brenda këtij grupi çmimet e benzinës dhe eurodiezelit u ulën respektivisht me 2,1% dhe 1,5%.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: