Vlerësimi i Ismail Kadaresë me çmimin “Jerusalem”, pos autorit, ka gëzuar edhe shumë dashmirës të letërsisë së tij. Limos Dizdari President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe Marenglen Spiro, sekretar shkencor i kanë përcjellë përgëzimet e tyre, në emër të Akademisë, shkrimtarit të njohur. “I nderuar Zoti Ismail, Nderimi i një shkrimtari të madh shqiptar, siç jeni ju, me çmimin e rëndësishëm ndërkombëtar ‘Jerusalem’ për vitin 2015, na gëzon thellë ne, anëtarët e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave që të kemi mes nesh si President Nderi, ashtu si edhe gjithë popullin shqiptar dhe dashamirësit e letërsisë shqipe kudo në botë”, -shkruhet në mesazhin e urimit.

“Me këtë rast ju shprehim urimet tona më të çiltra”,- vijon mesazhi, “si dhe besimin se nuk do të mungojnë edhe më tej krijimet tuaja letrare dhe vlerësimet e tjera të kësaj natyre”. Çmimi “Jerusalem” për 2015-n do ti jepet shkrimtarit në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jerusalem, në shkurt. Sipas gazetës “Haaretz”, Kadare e meritoi çmimin për shprehjen që i dha lirisë njerëzore në shkrimet e tij. “Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mos ndëshkimin e këtij faji… Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale”, thuhet në vendimin jurisë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb