Shoqatat e biznesit paralajmërojnë: çdo e treta kompani nuk ka ndërmend të investojë në Gjermani. Çmimi i energjisë, kostot e larta të punës, taksat, mungesa e punëtorëve… Probleme ka shumë.

“Tashmë ka filluar zhvendosja e impianteve jashtë Gjermanisë. Dhe kur kompanitë e mëdha largojnë fabrikat e tyre, kompanitë e vogla dhe furnitorët gjithashtu pësojnë dëmtime ose mbyllin dyert e tyre. Kjo është shpallja e falimentimit për hapësirën ekonomike të Gjermanisë”, përmbledh presidenti i Shoqatës së Tregtisë dhe Shërbimeve me Shumicë dhe të Jashtme Gjermane (BGA), Dirk Jandura në një deklaratë për agjencinë Reuters. Para së gjithash, sektorët industrialë kanë probleme të mëdha. Nuk shoh ndonjë të ardhme të qartë në Gjermani, nuk shoh se cili është koncepti për industrinë kimike, përpunimin e metaleve dhe inxhinierinë mekanike. Shpenzimet këtu janë thjesht shumë të larta,” beson Jandura.

Edhe presidentja e Shoqatës së Bizneseve Familjare, Marie-Christine Ostermann, është ngopur me këtë lloj politike ekonomike. “Nëse korniza ekonomikenuk ndryshohet menjëherë pas zgjedhjeve, edhe më shumë kompani do të shkojnë jashtë vendit”, thotë një drejtuese e një kompanie për furnizimet spitalore, e themeluar nga gjyshi i saj. Ajo në radhë të parë vë në dukje problemet e kompanive në industrinë përpunuese në Gjermani, siç janë energjia shumë e shtrenjtë për prodhim, varësia nga kosumi dhe probleme të tjera.

Nuk ka rritje pa investime
Për kryetarin e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHT) Peter Adrian, Gjermania ka arritur në një moment krize të të gjithë strukturës ekonomike. “Në vitet e fundit kompanive vendore u është dashur të durojnë shumë ngarkesa të reja dhe ndërhyrje shtetërore”, vlerëson kryetari i Dhomës. Kjo shihet më së miri nga investimet e kompanive në këtë vend: pandemia ka kaluar prej kohësh, por investimet këtë vit ishin ende 6% nën nivelin para pandemisë – investimet janë shumë më të vogla.

Sipas një sondazhi të kryer nga Dhoma mes anëtarëve të saj, një e treta e kompanive planifikojnë të reduktojnë investimet e tyre. “Këto nuk janë perspektiva të mira për rritje ekonomike”, paralajmëron Adrian, sepse nuk është shteti, por ekonomia që drejton pothuajse 90% të investimeve në Evropë. Adrian është i bindur se vetëm ndryshimi i politikës ekonomike në Berlin mund ta kthejë këtë vend në binarët e rritjes ekonomike.

Infrastruktura nga e kaluara
Politika ekonomike e shtetit është vendimtare edhe për infrastrukturën. Ndaj shoqata e sektorit të IT-së, Bitkom, kërkon një politikë tjetër dhe masa të tjera që nxisin investimet dhe mbetjen e kompanive në Gjermani. Kryetari i kësaj shoqate, Ralf Wintergerst, paralajmëron se edhe ata janë të prekur nga çmimi i lartë i energjisë elektrike. Qendrat e kontabilitetit konsumojnë shumë energji elektrike, por problem janë edhe ekspertët dhe “mentaliteti i letrës” i këtij vendi. Në këtë vend akoma mungon identiteti digjital dhe e gjithë infrastruktura digjitale ka nevojë për investime serioze. Gjermania ka nevojë për investime edhe në infrastruktura të tjera, në rrugë dhe në sigurimin e fuqisë së nevojshme punëtore. “Infrastruktura jonë nuk është infrastruktura e së ardhmes, por infrastruktura e së shkuarës”, paralajmërojnë ekspertët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb