TIRANE

Kur na ndajnë edhe vetëm 5 ditë nga mbyllja e vitit 2024, qeveria ende nuk ka marrë një vendim për uljen e çmimit të energjisë për familjarët, gjë që e premtoi më shumë se një muaj më parë.

Qeveria njoftoi më 5 nëntor se brenda Dhjetorit do të bëjë publik vendimin për uljen e çmimit të energjisë për vitin 2025 por Enti Rregullator nuk ka ende një vendim. Aktualisht çmimi i energjisë per familjet është 9.5 lekë për kilovat pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë.

Ky çmim është fiksuar në vitin 2014 pasi u hoq tarifimi me dy fasha dhe prej një dekade ka mbetur i pandryshuar. Të pyetur nga News24, burime nga Enti Rregullator I Energjisë bëjnë të ditur se rishikimi I çmimit të energjisë është në proces trajtimi me OSHEE, por nëse procesi është ende në vijim, ka shumë pak dite kohë që të përmbyllet Brenda këtij viti.

Sipas procedurave të mëparshme Furnizuesi i Shërbimit Universal që është një nga kompanitë e OSHEE-së që dorëzon një aplikim pranë Entit Rregullator të energjisë duke listuar tarifat e reja së bashku me treguesit ekonomikë. Më pas Bordi i Entit Rregullator mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE-së për të dalë me një vendim për çmimin. Një mundësi është që nëse ky vendim do të merret Brenda këtij viti, të prezantohet nga kryeministri Rama në konferencën e tij të fundit që zakonisht e zhvillon në 31 dhjetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb