Pas vendimit të bashkisë së Durrësit për rritjen e çmimit të uji, ka reaguar deputeti demokrat i zgjedhur më 25 qershor në këtë qytet Oerd Bylykbashi.

Në një koment relativisht të gjatë, Bylykbashi e cilëson kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon ‘sharlatan’ ndërsa thotë se çmimi rritet kur durrsakëve u vjen uji një herë në dy ditë në shtëpi.

Bylykbashi ka edhe një ‘mllef’ për qytetarët durrsakë që nuk çohen të protestojnë dhe ta kundërshtojnë Dakon. Me ironi ai thotë se si durrsakë, janë qytetarë paqësorë dhe iu bën apel të ruajnë qetësinë olimpike.

STATUSI I BYLYKBASHIT
ERRU?‎
‎U zgjova sot në mëngjes me dy lajme. I pari ‎që nuk kishte ujë në rubinet dhe lajm më të keq nuk ke në mes të vapës së verës. I dyti që Dako paska ngritur çmimin e ujit për durrsakët sipas modelit sharlatan të kryekryebashkiakut.

Rubinetit nuk kisha mundësi t’i bëja derman. M’u kujtua fëmijëria ime 30-35 vjet të shkuara kur më duhej çdo ditë të shkoja pas orës dy të drekës të mbushja ujë tek oborri i komshinjve. Të mendosh që ishte vetëm 30 m më tutje dhe shtëpia ime që ndodhej mu mbi arenën e amfiteatrit antik në qendër të Durrësit, nuk furnizohej dot nga rrjeti se s’kishte presion.‎ Është 2017 dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk mu nda kjo punë!

Po kjo puna e çmimit?! Këshilli Bashkiak i Durrësit e ka rrëzuar para pak muajsh rritjen e çmimit. Dako kërkoi ta rriste për herë të dytë brenda një viti por opozita nuk e lejoi. Pra nga enti pronar i UKD, Bashkia Durrës, nuk ka asnjë autorizim për rritjen e çmimit dhe asnjë dëgjesë publike, siç kërkohet nga ligji, nuk ka.

Në faqen e internetit të ERRU (Entit Rregullator të Ujit) nuk ka asnjë vendim për rritje çmimi. E vetmja gjë që të vjen në mend është ky modeli sharlatan i këtyre bashkiakëve të Duranës që fillojnë e hedhin lajmin në portale interneti, e lejnë të xhirojë që njerëzit të “vaksinohen” me idenë e rritjes së çmimit dhe më pas e bëjnë fakt një maskarallëk si ky që ‎Dako u rrit çmimin durrsakëve pa u çuar ujin për dy apo më shume ditë rresht. Dhe ajo që të mahnit fare është fakti që ata nuk bëzajnë fare. Fare! Delet kur duan ujë bëjnë beee. Po ne jemi qytetarë, nuk ndihemi, nuk bëjmë zhurmë. Jemi qytetërim 2700-vjeçar, ne. Të ndëshkojmë me heshtjen tonë vrasëse! Nuk e ulim veten ne të bëzajmë, le më të protestojmë! Ja, as tironcit nuk bëzajtën hiç kur ua rriti çmimin e ujit apo të biletës së autobusit Dako i tyre. Vazhdojmë me shpresën (absurde) që kur të kemi më shumë ujë do të ulet çmimi, sepse kur nuk paska ujë çmimi u rritka!

Pra, sipas ligjit çmimi i ujit në Durrës nuk është rritur‎. Por nuk është çudi që fatura të vijë me çmimin e ri. Po ashtu si pallatet që do fillojnë të ‎ndërtohen duke zhdukur lulishte e hapësira sportive historike në Durrësin e durrsakëve me qytetërim paqësor joprotestues 2700-vjeçar, edhe pse nuk ka një plan rregullues urbanistik të publikuar (në fakt Sali Berisha kryeministër e miratoi dhe e firmosi në verën e 2013, por Dako e zhduku sirtarëve atë plan dhe vazhdon lojën me leje që miratohen por plan urbanistik sipas tij nuk ka).

Përpiqesh të kuptosh qytetërimin 2700-vjeçar ‎duke parë statistikat e KQZ ku duket sikur durrsakët që qëndrojnë plot krenari e dinjitet qytetar por pa ujë në mes të verës mbi majën e qytetërimeve ilire, greke, romake, bizantine, normane, veneciane e otomane, na paskan votuar në mënyrë festive për Ramën, Dakon dhe PS e tyre edhe pse askush nuk do t’ia dijë për hallin, tavën dhe javën e tyre pa ujë. Nuk ka studiues që e kupton një sjellje të tillë “mirënjohëse” ndaj pushtetit.
Në gjithë këtë vapë të vjen e të ngulet pa vetëdije një togfjalësh në formën e pyetjes‎ me fjalët kyç të kësaj përsiatjeje: Dako, ERRU? Më pas të vjen pyetja e strukturuar: do t’ia dijë Dako për ERRU?

Fare, po hiç fare! As për votat apo protestat se ato ose blihen ose injorohen. Po aq sa për protestat, vendimet e gjykatave dhe sekuestron e prokurorisë për punimet tek Torra Veneciane që është fshehur pas Velierës së betonit. Dhe njerëzit që s’bëzajnë do vazhdojnë të “votojnë” përsëri në mënyrë plebishitare, festive dhe gjithë hare për pushtetin që të rrit çmimin e ujit por nuk ta sjell tek rubineti‎. E të nesërmen do fillojnë të shajnë Ramën dhe Dakon që nuk u sjell ujë edhe pse harxhon 8 milion USD për Velierën. Fundja pse duhet të bëjnë ata lidhjen logjike midis votës dhe mungesës së ujit? Bën shumë vapë, plasëm….

Shënim: Çdo koincidencë me fakte apo persona reale është e rastësishme dhe askush të mos shqetësohet apo ta vrasë ndërgjegjja. Të vazhdoje me qetësinë e vet olimpike. Jemi qytetërim paqësor 2700-vjeçar. Nuk ka gjë pse romakët e furnizonin Durrësin me ujë me një ujësjellës me tuba plumbi që në antikitet kurse sot nuk ka ujë as një orë në ditë. Ne nuk na duhen këto sa kohë kemi betonin, tullën e shekullit XXI, siç thotë Dako

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb