Komisioni Evropian pritet që brenda këtij muaji të propozojë heqjen e vizave për Ukrainën e Gjeorgjinë, ndërkaq ende nuk dihet se a do të bëhet një gjë e tillë edhe për Kosovën.

Në media sot është raportuar se Kosova rrezikon të mos përfshihet fare në këtë propozim, mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Çollaku në një prononcim për ‘Telegrafin’ ka thënë se ende një gjë e tillë nuk është e sigurt.

“Është e vërtetë që Komisioni Evropian tashmë ka ndërmarrë iniciativën ligjore dhe ka dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Gjeorgjinë. Ndërsa zyrtarët e Komisionit Evropian kanë paralajmëruar se nga fundi i muajit prill, një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe për Ukrainën, por ende nuk është e sigurt një gjë e tillë”, ka thënë Çollaku.

Ai më tej ka theksuar se në këtë kontekst, as Kosova nuk bën përjashtim, sepse KE-ja në vazhdimësi ka deklaruar se edhe Kosova do ta marrë rekomandimin nëse i plotëson kriteret e mbetura të cilat janë bërë publike në raportin e fundit të KE-së në dhjetor të vitit të kaluar.

“Bazuar në këtë, misioni i ekspertëve nga shtetet e BE-së dhe Komisioni Evropian gjatë muajit të kaluar ka qenë në Kosovë dhe ka vlerësuar përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit. Të gjeturat e këtij misioni kanë konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha rekomandimet, përveç ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, u shpreh Çollaku.

Ministri më pas ka bërë të ditur se është krejtësisht pritje reale dhe bazuar në merita, që edhe për Kosovën në javët në vazhdim Komisioni Evropian të jap rekomandimin për liberalizmin e vizave.

“Si udhëheqës i këtij procesi unë jam i sigurt se Kosova do ta marr rekomandimin për liberalizimin e vizave. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me KE-në dhe gjatë kësaj jave do të kem takime bilaterale me përfaqësues të Komisionit Evropian pikërisht për këtë qëllim”, tha Çollaku.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: