Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku vlerëson se ka ardhur koha që puna e bërë nga institucionet kosovare që nga çlirimi i vendit e deri tani të kurorëzohet me përfitime konkrete nga Bashkimi Evropian.


Një ditë pas kthimit nga vizita në Bruksel, ku u takua me komisionerin Johannes Hahn, ministri Bekim Çollaku thotë në një intervistë për Top Channel se viti 2015 pritet të jetë viti i kthesës së madhe për Kosovën në raportet me Bashkimin Evropian.


Ai thotë se pas disa vonesave në përkthime dhe çështje teknike, brenda këtij viti Bashkimi Evropian do të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.


“Ju e dini që disa herë Bashkimi Evropian ka thënë që do të jetë fundi i verës, apo gjatë verës. Unë tanimë nuk jam i shqetësuar për afatet kohore. Jam i sigurt se marrëveshja do të nënshkruhet gjatë këtij viti dhe e njëjta do të hyjë në fuqi dhe do të fillojë të zbatohet gjatë vitit të ardhshëm. Kjo është ajo çfarë na intereson dhe kjo është ajo për çfarë unë interesohem”, deklaron Çollaku, për TCh.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Çollaku shprehet i bindur se gjatë vitit 2016 kosovarët do të udhëtojnë pa viza brenda zonës Schengen. Ai thotë se Kosova ka mbetur mbrapa deri tani edhe për faktin se Bashkimi Evropian i kishte vënë dyfish më shumë kritere sesa vendet e tjera.

“Për ne ky proces është i përmbyllur tashmë. Kriteret janë përmbushur në masën prej mbi 95 për qind dhe Komisioni Evropian e ka dritën jeshile dhe mundësinë e vet që, bazuar në këto arritje të japë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk do të jetë më befasi, pasi unë tashmë e kam thënë, viti 2016 do të jetë viti kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm dhe pa viza në BE”, thekson Çollaku.

Ministri i Integrimit Evropian vijon se, gjatë muajit tetor Komisioni Evropian pritet të publikojë edhe progres-raportin për Kosovën, ku pritet të theksohen sukseset por edhe sfidat të cilat mbeten për t’u përmbushur, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

“Sigurisht që do të flitet për të gjitha ato suksese që janë arritur gjatë këtij viti. Mirëpo, natyrisht dhe pa asnjë befasi, do të ketë kritika të shumta edhe për të gjitha ato procese të cilat nuk kanë ecur ashtu siç duhet të ecnin”, shton Çollaku.

Ministri shton se në takimin me zotin Hahn në Bruksel ka diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku sipas tij, komisioneri është shprehur qartë se BE pret nga pozita dhe opozita në Kosovë që të kryejnë detyrimet e tyre politike për qytetarët, në përputhje me Kushtetutën dhe normat demokratike.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: