Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Conte, tha pas takimit me kryeministrin Edi Rama se hyrja e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, në Bashkimin Evropian, është një objektiv thelbësor. Duke folur për reformat që duhet të bëjë Shqipëria, Conte theksoi se ato janë të rëndësishme, por që duan mbështetje të gjerë.

“Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE është një objektiv thelbësor, sa i përket integrimit dhe procesit të integrimit të këtij rajoni. Është e rëndësishme që nuk është vetëm një fillim konkret, por edhe fakti që ndodhem sot këtu, në një ditë kaq të angazhuar … pra, gjendem këtu, sepse edhe në selinë e BE po diskutohet për integrimin. Shqipërisë i kërkohen reformat, por këtu flasim për kosto ekonomike, janë mjaft kurajuese, por që kërkojnë edhe mbështetje të gjerë”, deklaroi kryeministri italian.


Më tej, kreu i qeverisë italiane tha se ka diskutuar me Ramën edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Këtu nuk munguan dhe kritikat e kryeministrit italian, i cili tha se Shqipëria nuk e ka shfrytëzuar plotësisht potencialin ekonomik, por as burimet natyrore, kapitalin njerëzor dhe pozicionin strategjik.


“Folëm dhe për thellimin e bashkëpunimit në marrëdhëniet ekonomike. Ne jemi partneri i parë tregtar. Shqipëria nuk e ka shfrytëzuar ende plotësisht potencialin e saj ekonomik. Duhen shfrytëzuar më tej edhe burimet natyrore, edhe kapitali njerëzor dhe pozicioni strategjik i Shqipërisë, që në të ardhmen mund t’i garantojë Shqipërisë që të kthehet në një pikë kyçe të zhvillimit të rajonit”, shtoi Conte.


(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb