Nga: ZONJA KATERINA

600 gr mish viçi
3-4 patate
300 gr lakër e bardhë
1-2 karrota
2 degë selino
1-2 qepë të thatë
1-2 thelpinj hudhër
2 lgj gjalpë
2 lgj miell misri të verdhë
Kripë, piper, gjethe dafine
Majdanoz për servirje

Në një tenxhere hedhim 2 litra ujë dhe sapo të fillojë të vlojë shtojmë racionet e mishit. E mbulojmë tenxheren me kapak dhe e lemë mishin të ziejë në temperaturë mesatare derisa të zbutet. Herë pas here gjatë zierjes largojmë shkumën e krijuar në mënyrë që lëngu të mos na dalë i turbullt.

Kur mishi të ketë filluar zbutjen shtojmë në tenxhere qepën, karrotat, selinonë dhe lakrën e bardhë. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper. Vendosim përsëri kapakun dhe i lemë perimet të ziejnë për 15 minuta. Më pas vendosim në tenxhere 1-2 gjethe dafine, shtojmë dhe patatet dhe e lemë gatimin të vazhdojë zierjen dhe për 15 minuta të tjera.

Ndërkohë në një tenxhere shkrijmë 2 lugë gjalpë dhe kaurdisim miellin e misrit për 1-2 minuta. Shtojmë pak leng nga supa të hollohet dhe të marrë trajtën e një salce kremoze të cilën e shtojmë në tenxhere në momentet e fundit të përfundimit të gatimit. E lemë në zjarr për 1-2 minuta dhe e servirim supën të ngrohtë spërkatur me majdanoz të freskët.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb