SKRAPAR- Është zhvilluar sot në Çorovodë ceremonia e nisjes së punimeve për gazjellësin Trans-Adriatik. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë kryeministri Edi Rama qenë; investitorë të projektit, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri si dhe personalitete të tjera. Rama e ka cilësuar projektin TAP, një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar. Ai vlerësoi veç të tjerash përfitimet që vijnë nga ky projekt

“Dua ta filloj nga një detaj që ka të bëjë me përmbajtjen e këtij projekti dhe veçanërisht me shkollën Andon Profka në Fier, që pak javë më parë hapi dyer tërësisht të rindërtuar, që u mundësua nga ky projekt. Ky program është një shprehje shembullore e përgjegjësisë sociale të investitorëve dhe njëkohësisht e përfitimit nga ky projekt përtej përmbajtjes themelore të tij që është kalimi i gazsjellësit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se bashkëpunimi me komunitetin ka qenë shembullor dhe se ky investim respekton mjedisin dhe vendos standarde të reja.

“Është një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar që merr formë dhe bashkëpunimi me komunitetin ka qenë shembullor për të kapërcyer të gjitha pengesat, që nga ato të natyrës psikologjike, për dëmtim të territorit, apo ndotje të mjedisit. Dhe duke pasur garancinë e plotë se këto aspekte janë të trajtuara jo vetëm me përgjegjësi por edhe për të përcaktuar standarde të reja ndërmjet një investimi të tillë dhe mjedisit, ne sot jemi këtu për të lajmëruar fillimin e punës, fazën e parë të një investimi që do të shtrihet në 5 vitet e ardhshme. Fazë që ka të bëjë me ndërtimin e gjithë rrjetit të infrastrukturës lidhëse. Pas përfundimit të kësaj faze do të nisë ndërtimi i tubacionit kryesor dhe gazsjellësi do të përshkojë 211 km në Shqipëri. Krijon më shumë se 500 vende pune. Mijëra vende të tjera pune do të jenë rezultat i marrëdhënieve indirekte me këtë projekt”, tha Rama.

Kreu i Ekzekutivit tha se Shqipëria përfiton 1 mld euro në 20 vitet në vijim nga ky projekt në mënyrë direkte por edhe të ardhura të tjera nga investimet zinxhirë.

“Të ardhurat për ekonominë shqiptarë do të pësojnë një shumëfishim, nga ky projekt 1 mld euro në 20 vitet në vijim. Por këto nuk përfshijnë të ardhurat nga investimet zinxhirë. Shqipëria ka marrë të gjitha masat që të përfitojë gjithçka që potencialisht mund të fitojë nga ky projekt dhe procesi me TAP ka qenë konstruktiv. Ndërkohë në mbështetjen e BE-së dhe falë punës së ministrit të Industrisë, tanimë ka nisur puna për hartimin e master-planit të gazit në Shqipëri, për të cilin BE jo vetëm që ka garantuar një grant prej 1.1 mln eurosh por ka siguruar dhe ekspertizën”, theksoi kryeministri.

Nga ana tjetër, kreu i Ekzekutivit theksoi se TAP-i nuk është një tub që sjell gaz, por e kthen Shqipërinë në një nyje të furnizimit të energjisë nga lindja në perëndim.

“Për Shqipërinë do hapet një perspektivë e re dhe se qytetarët shqiptarë do përdorin gazin, si një formë më e lirë sesa energjia elektrike. Faleminderit për durim në shpërthejnë e kësaj panorame të përgjithshme. Dua t’ju shpreh investitorëve sigurinë e plotë të qeverisë shqiptarë, se ashtu si kemi punuar krah për krah, për të vënë një hartë investimet për të mbështetur investitorët, në kapërcimin e pengesave administrative apo burokratike, që janë tradicionalisht një problem për ta. Do punojmë së bashku me ju si partnerë dinjitoz, për të çelur çdo shteg që mund të gjendet në rrugën tuaj për shkaqe administrative, apo duke mos lejuar që të krijohen pengesa, për të cilat shqiptarët kanë paguar kosto të lartë në shumë vite, pasi administratat nuk kanë ditur të jenë në lartësinë e duhur për t’u zhvilluar.”, pohoi Rama.

Ndërsa Ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha se gazsjellësi TAP është me rëndësi jo vetëm për BE-në dhe Rajonin për edhe për Shqipërinë.

“Sot moment historik për Shqipërinë. Gazsjellësi ka konkurruar edhe me versione të tjera, por u zgjodh ai projekt ku Shqipëria është vend transit. Gazsjellësi është me rëndësi jo vetëm për BE-në, Rajonin por edhe Shqipërinë”, tha Gjiknuri.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: