ITALI – E përditshmja italiane “Corriere della Sera” lëshon bombën në faqet e saj, duke bërë të ditur se presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, ka vendosur për të shitur klubin. Tajlandezi Be Teaçaubol nuk ka ndër mend që t’i shpëtojë mundësia për të blerë Milanin. Ai ka hartuar një projekt të qartë, që në fokusin e tij ka ndërtimin e stadiumit të ri.
Mësohet se tajlandezi ka gjetur edhe disa ortakë, të gatshëm për të investuar te klubi kuqezi, me qëllim për ta rikthyer Milanin sërish protagonist në Itali dhe Europë. Por, kjo tratativë nuk parashikohet e lehtë, pasi mungon ende oferta zyrtare dhe Berluskoni, siç dihet, nuk kënaqet me pak, gjë që e ka dëshmuar edhe para disa muajsh, kur refuzoi një ofertë prej 500 milionë eurosh nga Peter Lim.
Ky i fundit u interesua për 50% të aksioneve duke detyruar më pas miliarderin nga Singapori të investonte te blerja e klubit të Valencias. Ish-kryeministri italian ka një vlerësim të lartë për aksionet e Milanit, por edhe në këtë sezon i duhet që të bëjë llogaritë me borxhet, të cilat kapin shifrën e 250 milionë eurove. Kjo është edhe arsyeja pse “kavalieri” ka vendosur për të nxjerrë në shitje Milanin.
Por, për të blerë aksionet e kuqezinjve nuk është i interesuar vetëm 41-vjeçari, Be Teaçaubol. Mësohet se administratorja e klubit kuqezi, Barbara Berluskoni, është përqendruar edhe në tregun aziatik për të kërkuar investitorë të rinj. Mbi të gjitha është Jang Janlin, njeriu i dytë më i pasur në Kinë. Tashmë mbetet për t’u kuptuar se cila shifër përmbush kërkesën e familjes Berluskoni. Ndërsa hipoteza e tretë janë sheikët e Dubait, të cilët nuk janë indiferentë për klubin kuqezi, i cili gëzon akoma hijeshi për shkak të lavdisë së dikurshme.
(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb