Braziliani Philippe Coutinho ka zyrtarizuar ditën e sotme zgjatjen e kontratës me klubin legjendar anglez, Liverpul. 24 vjeçari do jetë pjesë e “redasave” deri në vitin 2022, por nuk bëhet e ditur paga e lojtarit, përveçse thuhet që do jetë lojtari më i paguar në klub. Ndërkohë nuk bëhet e ditur edhe klauzola në rast largimi.

Me këtë merr fund ëndrra e shumë ekipeve për t’a patur fantazistin në rradhët e tyre, me në krye Barcelonën, e cila më parë kishte kërkuar informacione për lojtarin.

Coutinho, duke besuar se ambiciet e tij mund të plotësohen në “Anfield”, nën urdhrat e Jurgen Klopp, nuk ka hezituar të rinovojë. Besimi se Liverpool është në një trajektore rritëse, Coutinho ishte i lumtur për ta treguar kështu mirënjohjen e tij ndaj klubit.
160924-118-Liverpool_Hull_City
Coutinho për faqen e tij zyrtare: “Jam shumë i lumtur për të nënshkruar një kontratë të re me këtë klub, të cilit i jam shumë mirënjohës. Do të punoj shumë për ta shlyer besimin e treguar ndaj meje. Ky është një klub fantastik, një nga klubet më të mëdha në botë.

Ne duhet të jemi atje, në mesin e klubeve të tjera të mëdha, duke garuar e rivalizuar për trofe. Ky është një klub futbolli me lojtarë të mëdhenj dhe staf të mrekullueshëm teknik. Liverpool ka gjithçka për të arritur gjëra të mëdha në të ardhmen. Që kur mbërrita këtu me familjen u pritëm krahëhapur nga të gjithë. Ndihemi si në shtëpi në këtë klub, e ndiejmë veten pjesë të këtij qyteti. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për mua, gruan dhe vajzën time.

Jam i lumtur! Titujt, mendoj se janë shumë të rëndësishëm. Kur them tituj, dua të nënkuptoj kampionatin. Premier League është një nga ligat më të mira në botë. Eshtë koha që edhe në Ligën e Kampionëve të luajmë për të fituar, për të luftuar me ekipet më të mira në Europë. Ky është qëllimi im, ky është qëllimi i të gjithëve në këtë klub futbolli”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb