Philipp Coutinho ka zbuluar influencën që ka patur ish-shoku i skuadrës te Liverpool, Luis Suarez, në vendimin për të shkuar te Barcelona.

25-vjeçari është zyrtarisht një futbollist i katalanasve pas testeve mjekësore të kryera sot në mëngjes dhe pas firmosjes së kontratës 5-vjeçare me kryesuesit e “La Liga-s”.

Ai u paraqit sot para mijërave tifozëve të emocionuar në fushën e “Camp Nou” dhe më pas foli për mediat për herë të parë që pas transferimit që kushtoi 162 mln euro, duke theksuar “se është një ëndërr e bërë realitet”.

Coutinho u shpreh se Suarez me të cilin luajti në “Amfield” gjatë viteve 2012-2014, i ka shkruar vazhdimisht duke i folur për çështje të caktuara në klub dhe detaje të qytetit.
47E50D0D00000578-5246557-image-a-42_1515416929618
Uruguaiani sipas mesfushorit 25-vjeçar i ka siguruar një shtëpi në lagjen Bellamar të Castelldefels, qytezë afër plazhit, ku do të jetë fqinj së bashku me Suarez dhe Messi-n.

Coutinho u shpreh i lumtur për këto veprime të Suarez që i kishte gjetur një shtëpi.

“Ne kemi parë fotografitë, duket e mahnitshme. Ne jemi në kontakt gjatë gjithë kohës dhe e di që Suarez do të më ndihmojë të ndihem si në shtëpi.”

Braziliani gjithashtu vijonte të rrëfente për sulmuesin e Barcelonës për herë të parë si pjesë e këtij klubi edhe vetë. “Ne pothuajse fituam ‘Premier League’ së bashku në Liverpool në 2014, ishte një kohë e mrekullueshme.

Ne jemi miq të mirë dhe ai më shkruante vazhdimisht mesazhe për të më treguar qytetin dhe klubin. Me pak fjalë ma shtoi më shumë dëshirën për të ardhur këtu.”

Coutinho gjithashtu foli edhe për ndikimin e patriotit të tij, Neymar-it, ish-futbollistit të Barcelonës që tani luan për Paris SG.

Ai u shpreh: “Sigurisht, fola me Neymar dhe më tregoi për gjërat e mira. Më tregoi për skuadrën, qytetit dhe gjithçka ndodh në dhomat e zhveshjeve.
Unë e kam patur gjithmonë të qartë që nga fillimi se dëshira ime ishte të vij këtu dhe falënderoj të gjithë ata që më kuptuan. Ishte ëndrra ime për të ardhur në Barcelonë. Ishte një mundësi unike dhe kontrata është nënshkruar për 5 vite.

Dua t’i falënderoj të gjithë, unë po jetoi një ëndërr. Dua të falënderoj drejtorët për durimin e tyre. Gjithashtu dua të falënderoj Liverpool-in dhe tifozët që e kuptuan se dëshira ime ishte për të ardhur te Barcelona.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb