Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka urdhëruar zyrtarët e shtetit të zbatojnë një fushatë të rreptë për parandalimin e pandemisë, duke nënvizuar se ajo do të bëhet “në stilin tonë”.
Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi Korea e Veriut refuzoi 3 milionë doza të vaksinës anti-COVID të ofruara nga instrumenti COVAX, duke thënë se ata t’i ofrohen një vendi që janë më në nevojë se ata.
Gjatë një takimi të byrosë politike të enjten, Kimi citohet nga agjencia shtetërore e lajmeve t’iu ketë thënë zyrtarëve: “Duhet ta mbani në mend se forcimi i parandalimit të epidemisë është detyrë e rëndësisë më të madhe, e cila nuk duhet të dobësohet në asnjë çast.”
Kim Jong-un më parë i ka paralajmëruar banorët e Koresë Veriore që të përgatiten për masa të gjata kufizuese, duke lënë të kuptohet se kufijtë e shtetit do të qëndrojnë të mbyllur, pavarësisht përkeqësimit të situatës ekonomike dhe vështirësive për sigurimin e ushqimit.
(BalkanWeb)