Pedagogia shqiptare në Itali, Luljeta Paparisto, tregoi në një lidhje me “Skype” për News24 se situata në vendin fqinj vijon të jetë kaotike, për shkak të përhapjes masive të koronavirusit.
Pedagogia theksoi se nuk është e vërtetë që COVID-19 prek vetëm të moshuarit, pasi edhe shumë të rinj dhe që janë të shëndetshëm mund të preken, madje edhe të vdesin nga ky virus.
“Popullsia italiane është e vjetër dhe vdesin më shumë, por nuk përjashtohet absolutisht vdekja e atyre që janë shumë të rinj dhe shumë të fortë. Në këtë gjendje as mjeku i familjes nuk vjen në shtëpi. I sëmuri që kalon momente shumë të vështira, sepse duhet të rrijë në pozicionin përmbys 18 orë me ventilacionet dhe vuan jashtëzakonisht shumë, dhe në fund nuk ka asnjë kontakt me familjarët, por vetëm me doktorin ose infermierët.
Shumë familjarë pyesin edhe për fjalën e fundit që mund të ketë thënë pacienti. Tani nuk ka më as vende në varreza, trupat e pajetë merren me makina ushtarake dhe çohen edhe në qytete të tjera”, tha pedagogia Paparisto.
A ka dëshmi të njerëzve që ja kanë dalë të mposhtin COVID-19?
Po, sigurisht. Ata tregojnë që kur sëmuren janë momente shumë, shumë të vështira për t’i kaluar, që jo gjithkush mund t’ia dalë. Sëmundja shkatërron mushëriktë, veshkat, gjithë sistemin, edhe zemrën. Ata që kanë edhe sëmundje të tjera nuk ia dalin dot, të tjerët duhet të luftojnë, pasi është shumë vështirë të kalohet.
Përballë gjithë kësaj katrahure që po ndodh nuk e quaj sakrificë të rrish në shtëpi. Është gjëja elementare dhe më e thjeshtë që mund të bëjë një njeriu për të shpëtuar veten dhe familjarët e tij. Kush nuk e bën këtë është kriminel. Nuk është e vërtetë që virusi shpërndahet vetëm me kollë, por edhe vetëm duke folur me njëri-tjetrin.
(BalkanWeb)