Nga: Prof. Dr. AGO NEZHA*
Lajme të frikshme dëgjojmë çdo ditë, sa hap e mbyll televizorin apo ndjekim rubrikën e mëngjesit për pasqyrën e shtypit tek emisioni “Koha për t’u zgjuar” të gazetarit Bashkim Hoxha. Në këtë kaos politik instinktivisht të lind pyetja, a ka politikanë të ndershëm? Dhe më tej vazhdon të pyesësh me dhimbje e shqetësim, a ka më ndonjë njeri të mirë e të ndershëm në këtë vend? Menjëherë e kupton se njerëzit e mirë e të ndershëm në gjirin e shoqërisë sonë të korruptuar janë perla, që duhet t’i ruajmë si thesarin më të çmuar. Kemi një çerek shekulli që po kërkojmë me qiri një politikan, parlamentar, shtetar, gjyqtar, prokuror të ndershëm, por më kot, se është njëlloj sikur të shkosh në kuplara dhe të kërkosh një kurvë të ndershme. Kjo panoramë e shoqërisë sonë të korruptuar ka përfshirë të gjithë kopenë e partive të ndara në parcela hashashi, që mbajnë emra të majtë e të djathtë, por që në të vërtet janë pa identitet politik. Për t’u identifikuar janë rreshtuar në dy kampe të mëdha aventurierësh, që bëjnë sikur shajnë njëri-tjetrin, por kur vjen puna për t’u ulur në tavolinë, hanë në një sofër. Në realitetin e përditshëm ndeshim dy parti reale. Partinë e korrupsionit, krimit dhe prostitucionit, që janë futur nën ombrellën e politikës së pistë, me siglën e majtë e djathtë dhe “partinë” e intelektualëve të ndershëm, të pastër, që janë në minoritet. E keqja është se intelektualët e shquar ose heshtin të demoralizuar në strofkën e tyre, ose flasin solo. Ky është një qëndrim i dënueshëm historik. Ka ardhur koha që liderët intelektualë të flasin në kor, që zëri i tyre të mos jetë një piskamë në shkretëtirë, por një kambanë që të trondisë e të shurdhojë gjithë klasën e korruptuar politike. Në këto 25 vjet të ashtuquajtura demokraci, janë denoncuar e akuzuar në mënyrë të ndërsjelltë midis palëve të “majtë” e të “djathtë”, me dhjetëra politikanë, parlamentarë, shtetarë e gjyqtarë, për korrupsion e krime, por s’u ka lëvizur asnjë qime. Spektaklet s’kanë të numëruar e mbaruar. Janë vjedhur disa banka, rezerva e floririt dhe s’i ka hyr asnjë gjemb as të atit e as të “birit”, po qëndrojnë në këmbë në politikë, si puna e kallirit. Populli në emisionin e lirë të mëngjesit shtron pyetjen deri kur kështu…?! Ky vend siç është katandisur, kështu ka për t’u gremisur, e vithisur, përderisa vazhdon siç e ka nisur. Trupi i politikës shqiptare siç po tregon realiteti i përditshëm, është infektuar në të gjitha organet dhe gjymtyrët të majta e të djathta, nga koka të këmbët, nga korrupsioni, krimi e prostitucioni. Teatri parlamentar me akuza e kundërakuza, duke hedhur romuze, ngjan me një lojë pingpongu, hidh e prit e mos u mërzit, se nuk ka asnjë rrezik, por ha, merr e ik, o politikani ynë “simpatik”. Politika është kthyer në një fole grerëzash, që edhe po u fut një njeri i ndershëm, koha ka treguar se e ka të vështirë të bashkëjetojë në atë familje, se nuk i reziston dot thumbimit të mbretëreshës së kosheres (kryetarit të partisë). Ndonjë politikan i ndershëm, që s’e ka duruar dhe rezistuar dot ndotjen në familjen e tij politike, si Profesor Pëllumb Xhufi, Profesor Zabit Brokaj, e ndonjë tjetër, kur janë larguar nga politika, kanë dalë të gjymtuar e sulmuar, e persekutuar për t’i nënshtruar. Të futesh në politikë në Shqipëri duhet të kesh disa cilësi të rralla si: të mashtrosh, përvetësosh, ndëshkosh, se ndryshe nuk mund të fitosh. Në kujtesën tonë kemi me dhjetëra politikanë, shtetarë e diplomatë, që e kanë pasur korrupsionin me lopatë dhe sot ecin si triumfatorë me kokën lartë. Sot kemi politikanë që janë biznesmenë, e biznesmenë që janë bërë politikanë, që bashkë pinë e hanë dhe s’dinë pasurinë ku e kanë, këta grykës sharlatanë. Koha e qeverisjes në vitet e “demokracisë” ka dëshmuar se nuk mund të pasurohesh po nuk u fute në politikë, ose po nuk qe i lidhur me politikën. Kjo aksiomë nuk do vërtetim. Është tepër tronditës fakti që rezulton nga përgjimet ku shumë deputetë, ministra, drejtorë drejtorish qendrore e vendore, kryetarë bashkisë, kryetarë komunash, diplomatë, biznesmenë, gjykatës e prokurorë janë të përfshirë në korrupsion galopant. Pa u futur në listime, në kopenë e të korruptuarve del se s’ka mbetur lider pa u përlyer. Kjo situatë është tepër shqetësuese se nuk di kujt t’i bësh lavazh dhe kush do ia bëjë lavazhin, kur të gjithë pushtetet me përjashtim të atij mediatik janë të përfshirë në krime monstruoze. Jemi ku thërret qameti. Në kor duhet të këndojmë këngën: “Vaj vatani e mjerë mileti, e të thërrasim fort, me zë të lartë, o popull ç’na gjeti”. Kemi një çerek shekulli që po durojmë të luajnë me fatet tona një grup sharlatanësh, që i kanë hipur popullit në qafë dhe s’i zbresin me vullnetin e tyre pa i rrëzuar nëpërmjet ndëshkimit me votë ose me bojkot. Virusi i korrupsionit është futur thellë në familjen politike, te parlamentarët, shtetarët, gjyqtarët dhe gjithë gjynahqarët. Partitë politike, sipas spektrit të tyre ndajnë perceptime të ndryshme mbi shkallën e rrezikshmërisë së krimeve. Morali i shoqërisë sonë është refleks i moralit të klasës politike, që kemi në krye, duke filluar nga parlamenti, qeveria, gjyqësori dhe media. Përgjegjëse për këtë situatë është vetë shoqëria. Jemi ne që i prodhojmë këto hierarki të deformuara politike, ekonomike e sociale, që i ushqejmë, i ruajmë dhe i mbrojmë me votën tonë të papërgjegjshme që e hedhim në kutinë e votimit si të jetë një gogël dhe jo një mjet që diferencon demokracinë nga diktatura. Demokracia te ne ka një inflacion në rritje, që është zhvlerësuar si një monedhë që ka humbur vlerën në treg. Në sfondin e kësaj dukurie lindin disa pyetje retorike. Si mund ta quash vend demokratik një vend që prona e trashëguar në shekuj është tjetërsuar nëpërmjet ligjit fatkeq 7501, duke u bërë shteti pronar dhe tutor i pasurisë tënde për të pronësuar njerëz pa identitet dhe pa atribute shoqërore? Si mund ta quash demokratik një vend që pasurinë 50-vjeçare që u bë me djersën dhe mundin e popullit ta përvetësojnë në disa duar kasta e më të fortëve? Si mund ta quash demokratike një parti që bën thirrje popullore, të prishni e shkatërroni çfarë të gjeni përpara, fabrika, uzina, kombinate, shkolla, pallate kulture, muze, plantacione me pemë, agrume, ullinj e vreshta, me motivin se këto i ka krijuar socializmi me frymën e shenjtë dhe jo djersa e mundimshme e popullit të shumë vuajtur? Një ironi therëse mesjetare, ku bëhet thirrje të zbatohet teoria zero. Një veprim i tillë është si strategjia e Rakonviçit me kosovarët, të shkatërrojmë pasurinë që të përzëmë popullsinë nga trojet e tyre. Kjo taktikë u realizua me sukses, duke emigruar forca më vitale, rinia në vendet fqinjë Greqi e Itali, si dhe në vendet e zhvilluara të Europës, për të selitur ekonomitë e tyre, duke braktisur trojet e veta, që sot janë kthyer në shkretëtira në vend që të seliteshin me kontributin e këtyre të rinjve. Flitet shumë për armiq të jashtëm, duke harruar që ata kanë terren dhe janë të lidhur me antikombëtarët vendas. Të pasurit në Shqipëri janë fuqizuar me mjete dhe rrugë të paligjshme. Një pjesë e mirë e tyre kanë vënë pasuri me korrupsion dhe krime. E përdorin rëndomtë sloganin se nga i pasuri s’të vjen e keqja. Por shumica e kapitalistëve shqiptarë nuk e kanë vënë kapitalin me mund e djersë, siç kujtojmë prindërit tanë, por me hajdutëri. Kujtojmë që u vodhën rezervat e arit të shtetit, disa banka të nivelit të dytë deri te skandali me bankën qendrore të shtetit, shpërdorimi i fondeve publike me tendera, koncesione të huaja si Rruga e Kombit, subvencionet, projektet, taksat doganore, tatimet dhe askush s’u ndëshkua. Varfëria dhe papunësia është plaga më e rëndë e kohës. Të punësuarit në vendet kyçe të ekonomisë janë njerëz që kanë lidhje me politikën ose biznesin. Morali i deformuar i shoqërisë është në qeverisje të vendit. Kjo klasë e të pasurve që do trashëgojnë pushtetin kanë në genin e tyre makutërinë, padrejtësinë, arrogancën, imoralitetin. Ka lojtar butaforikë që luajnë si në bixhoz me fjalën “demokrat”. Njerëz që s’kanë lidhje me kulturën dhe sjelljen demokratike, abuzojnë duke ngritur dy gishta lart, për t’u identifikuar në të qenët demokratë. Në shoqërinë tonë të sotme ka zënë vend anarkia demokratike nëpërmjet lirisë së fjalës pa limit, që kurrkund nuk ngjit, se është korr e mos lidh. Pasardhësit e klasës së sotme politike janë trashëgimtarët e klasës së djeshme që lanë pushtetin ose të servilëve dhe shërbëtorëve të tyre, që padyshim do u ngjajnë gjyshërve, por do jenë më të aftë për të shfaqur cilësitë e sundimtarëve modernë. Ajo që të bën pesimist se ky vend është vështirë të bëhet, është se janë hedhur themele të shtrembra në godinën e demokracisë dhe arkitektët që e kanë projektuar atë dhe që drejtojnë sot politikën shqiptare janë të korruptuar e degjeneruar jo vetëm politikisht, por edhe moralisht e familjarisht. Politikanët shqiptarë si askush në botën e qytetëruar e quajnë vendin pronë të tyre që mund të shesin kufijtë tokësorë apo detarë, siç bëri Mbreti Zog, që mori edhe rezervën e floririt dhe e la vendin të pushtuar dhe ia mbathi këmbëve për të shpëtuar veten dhe familjen e tij. Dhe për ironinë e fatit të shqiptarëve, për këtë hajdut e tradhtar të kombit, ngrihen buste e nderohet me tituj e ceremoni nderi. Ndërsa për njeriun e famshëm që shpalli Pavarësinë, Ismail Qemalin siç e ka quajtur Noli i madh, nuk ka një bust madhështor në kryeqytetin e vendit, pa folur më në qytete të tjera. Kjo s’ndodh në asnjë vend të qytetëruar të botës, veç se tek ne, si një marrëzi shqiptare. Shqipëria me tradita të larta morale, zakonore, kanunore, sot ka mbushur rrugët e botës me prostituta, burgjet e huaja me të rinj për vepra amorale e kriminale. Fëmijët braktisin dhe mohojnë prindërit, gjë që s’e bën as kafsha. Kur i humbet qengji deles, ajo blegërin dhe alarmon dynjanë. Kjo tregon se kemi humbur dhe instinktet që ka kafsha, pa folur më për ndjenjat. Në vitet e demokracisë është ringjallur hakmarrja mesjetare, ku fëmijës në bark të nënës i mohohet liria dhe sa lind është i ngujuar. Shkollat fabrikojnë injorancën dhe diploma pa dije. Spitalet janë kthyer në qendra tregtare. I varfëri vdes para syve të mjekut dhe ai s’e zë me dorë, po nuk u bë kush garant për të paguar, se ka humbur plotësisht humanizmi. Në gjithë këtë kaos moral e politik dëgjon teatrin parlamentar që akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion, krime, e prostitucion dhe shajnë njëri- tjetrin nga nëna, gruaja, vajza dhe nuk ndihen të fyer, vetëm e vetëm që të ruajnë pronat dhe paratë e pista të fituara me krime e korrupsion. Ka ndryshuar rrënjësisht morali i shqiptarit. Ai deri dje të vriste për moral, sot të vret për pushtet dhe para. Të vjen turp kur dëgjon fjalorin që përdorin parlamentarët tanë. Ata transmetojnë moralin, mentalitetin, kulturën dhe traditën e tyre familjare. Në këtë derexhe që është katandisur Shqipëria, duhet të ndodhë apokalipsi i kësaj shoqërie të inkriminuar për ta ndryshuar. Me këto parti pazaresh, që kanë humbur besimin, autoritetin, pavarësinë dhe reputacionin në popull, duhet një klasë elite intelektuale, me moral të lartë dhe ideale kombëtare që ta shpëtojë Shqipërinë nga kjo skllavëri politike.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: