Emigrantët e parë që mbërritën mëngjesin e sotëm në Shëngjin, pritet të zhvendosen në kampin e Gjadrit rreth orës 16:30 të pasdites së sotme, raportoi gazetari i News24 Renaldo Salianji, referuar burimeve lidhur me atë se çfarë po ndodh me 16 personat që mbërritën me anijen Libra, e nisur nga Lampeduza.
Salianji në raportimin e tij tha se 16 emigrantët i janë nënshtruar kontrolleve, si dhe procedurave, për plotësimin e kërkesave për azil në bazën e pritjes në Shëngjin.
Gazetari tha se referuar të dhënave emigrantët do të transportohen ndoshta rreth orës 16:30 drejt kampit të refugjatëve të ngritur në Gjadër.
Emigrantët e parë do të akomodohen në mjediset e kampit në pritje të përpunimit nga autoritetet italiane të kërkesave për azil. Nëse kërkesat nuk do të pranohen, atëherë ata do të riatdhesohen në vendet e origjinës, ndërsa nëse do të plotësojnë kriteret për azil, do të zhvendosen në Itali.
Emigrantët e parë që kanë mbërritur në Shqipëri, janë 10 nga Egjipti dhe 6 nga Bangladeshi, që konsiderohen si vende të sigurta nga Italia.