Një grup motoristësh nga Serbia janë nisur drejt Kosovës. Para takimit, ata janë pritur nga nënkryetari i Kuvendit Komunal të Beogradit, Goran Vesiq, shkruan lajmi.net.

Të njëjtit konsiderohen si një grup mjaft i gjerë dhe me prirje për shkaktimin e trazirave. Shpesh herë, ky grup nga mediat në Serbi është cilësuar si grup kriminal.

Mirëpo ky grup nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës. Kështu ka konfirmuar  për lajmi.net Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacollit. Ai ka thënë se Kosova nuk e lejon asnjë grup të organizuar që pretendon prishjen e rendit publik.

“Kosova është vend ku respektohen të drejtat e njeriut për dallim prej shtetit të Serbisë, megjithatë Kosova nuk lejon asnjë grup të organizuar që pretendon prishjen e rendit publik, pamarrë parasysh etninë”, ka bërë të ditur Zyberaj.

Detaje të tjera nëse ky grup ka mbërritur në kufi ende nuk dihen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb