Opozita zgjodhi një bojkot të pjesshëm këtë të hënë ndaj komisioneve parlamentare, në shenjë proteste për dënimin me burg të deputetit të PD, Ervin Salianji. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe Hetimorin për Koncesionet në Shëndetësi.

Mbledhja e Ligjeve u drejtua nga nënkryetari socialist i komisionit, Eduart Ndreca. Bie në sy mungesa e deputetëve të PD, zv/kryetares së Komisionit të Ligjeve Dhurata Çupi dhe anëtarëve Gazment Bardhi, Bledjon Nallbati dhe Dashnor Sula. Bojkotit i është bashkuar edhe Enkelejd Alibeaj, i larguar nga grupi parlamentar i PD disa muaj më parë.

Opozita Komisioni I Ligjeve

Te komisioni Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi që drejtohet nga deputetja e PD, Albana Vokshi, gjithashtu opozita nuk ka marrë pjesë. Nënkryetari socialist i komisionit, Plarent Ndreca ka drejtuar punimet, mbledhje e cila ka zgjatur pak minuta.

Hetimori I Shendetesise U Drejtua Nga Ndreca
Hetimori I Shendetesise U Drejtua Nga Ndreca

I vetmi komision i cili zhvilloi punimet me pjesëmarrjen edhe të opozitës ishte ai i Integrimit. Jorida Tabaku dhe Edi Paloka thyen bojkotin e opozitës dhe morën pjesë në mbledhjen e komisionit ndërsa ngritën shqetësimet për cenimin e balancës së pushteteve dhe trajtim të pabarabartë sa i takon mandateve të deputetëve dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar rastit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Këtë të hënë në orën 15.00, grupi parlamentar i PD pritet të marrë vendimin zyrtar lidhur me raportet e opozitës me komisionet parlamentare dhe seancat e Kuvendit të Shqipërisë.

Opozita pritet të radikalizojë aksionin e saj politik dhe paralalelisht të kushtëzojë raportet me Kuvendin, në shenjë proteste pas dënimit të deputetit demokrat, Ervin Salianji me 1 vit burg për kallëzim të rremë. PD e konsideron vendimin si të ndikuar politikisht dhe goditje që mazhoranca po përpiqet t’i japë opozitës disa muaj larg zgjedhjeve parlamentare. Në 7 tetor opozita ka njoftuar protestë kombëtare në Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb