TIRANË- Lufta kundër korrupsionit ka bërë bashkë në një tryezë ministrin për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe ambasadoren e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin.

Në fjalën e saj ambasadorja Vlahutin kërkoi nga qeveria shqiptare rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni sipas saj është një fenomen që nuk mund të injorohet. Në këtë luftë, tha ajo, Bashkimit Evropian është i gatshëm të ndihmojë financiarisht me projekte qeverinë shqiptare.

“Rezultatet e prekshme në luftën kundër korrupsionit janë element qendror për Shqipërinë për të lëvizur në hapat drejt integrimit. Korrupsioni është një problem që nuk mund ta injorojmë, pasi promovon ndër të tjera pabarazinë ekonomike, ushqen krimin e organizuar, ndalon efiçencën e institucioneve publike. BE do të japë më shumë ndihmë për Shqipërinë në formën e buxhetit për mbështetje me synim forcimin e përgjegjshmërisë së brendshme. Ne shikojmë së pari adoptimin dhe zbatimin e një strategjie Anti-korrupsion të besueshme. Kjo makineri do të jetë thelbësore për Shqipërinë që të ketë një regjistër të dhënash për dënimet në të gjitha nivelet”, tha ambasadorja Vlahutin.

Duke ofruar mbështetjen e BE-së, Vlahutin tha se duhet krijuar një regjistër investigimi. “Shqipëria të ndërtojë një regjistër të dhënash për regjistrimin e të gjitha dënimeve në të gjitha nivelet”, tha ajo.

Ndërsa Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi u shpreh se pas një pune një vjeçare vijmë sot për të prezantuar gjetjet që një skuadër ka bërë në luftën kundër korrupsionit. Ky moment vjen paralelisht në momentin kur presim të miratojmë një plan 3 vjeçar që vendet tona do të ndërmarrin në 3 vitet e ardhshme”.

Ministri u shpreh se, janë mbi 500 raste të zyrtarëve nën akuzën e korrupsionit, por se Prokuroria sipas tij nuk duhet të stërgjasë procesin e hetimit apo edhe më tej, ta mbyllë atë. Për të pasur shembuj të tillë konkretë të ndëshkimit, ministri Çuçi tha se beteja nuk duhet të jetë vetëm e qeverisë, por e të gjitha hallkave të drejtësisë dhe jo vetëm“Sfidë mbetet reformimi i tërë sistemit të drejtësisë për ta kthyer të pakorruptueshëm. Objektivi primar është të kthejmë besimin tek qytetarët, të rrisim shkallën e besimit tek puna konkrete e qeverisë. Qeveria do ketë vullnet të palëkundur kundrejt reformës. Ka një numër i madh zyrtarësh të referuar në organet e hetimi, janë 535 të tillë, mes të cilëve një numër i madh zyrtarësh të lartë, për korrupsion. Unë mendoj që hetimi nuk duhet stërgjatur apo mbyllur, duhet vullnet i plotë nga të gjitha hallkat për të bërë shembull që lufta kundër korrupsionit do të japë fryte. Duhet përgjegjësi më e madhe për institucionet publike për të trajtuar pa vonesa referimet e kryera për raste korrupsioni që vijnë nga qytetarët. Bërja shembull, ndëshkimi duhet të jetë reflektim i shumë aktorëve jo vetëm qeverisë”, u shpreh ministri Çuçi.

Ministri Çuçi shtoi se mazhoranca nuk do të tolerojë në luftën ndaj korrupsionit dhe për këtë ai tha se qeveria do të ketë gati paketën anti-korrupsion javën e ardhshme, kur pritet të prezantohet një fushatë të madhe kundër Korrupsionit.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore tha se në këtë proces duhet përfshirje e shoqërisë civile. “2015-a, është vit i vrullshëm veprimesh, realizimesh, pjesë e të cilave do të jenë dhe rekomandimet e këtij projekti”, theksoi ministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: