Ministri i Pushtetit Vendor dhe njëherësh koordinatori kombëtar për Antikorrupsionin, Bledi Çuçi u shpreh dje i pakënaqur me punën e prokurorisë për rastet e denoncuara për korrupsion.

Në mbi 170 raste, prokuroria po heton vetëm 2 çështje të denoncuara në portalin e hapur nga qeveria, ‘stop-korruosionit.al’. “Për fat të keq nuk ka pasur, ose ka pasur shumë pak avancime në prokurori.

Mund të jenë 1 ose 2 çështje që janë marrë seriozisht nga prokuroria, por në dijeninë time nuk ka ende asnjë dosje në gjykatë. Reforma në drejtësi do të japë një impuls tjetër për këtë moskoordinim apo mospërputhje”, u shpreh dje Çuçi në intervistat e tij televizive. Ai u shpreh se janë më shumë se 13 mijë, rastet e denoncuara për korrupsion në faqen internetit “Stopkorrupsionit.al”, ku çdo qytetar shqiptar apo i huaj ftohet të denoncojë rastet e korrupsionit, duke garantuar një përgjigje për rastin brenda 30 ditëve. Lufta ndaj korrupsionit është një nga 5 prioritetet që i është vënë Shqipërisë për të përparuar në BE dhe në mars të 2015-ës, qeveria miratoi edhe strategjinë ndërsektoriale kundër këtij fenomeni.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: