Në emisionin “Log.” të gazetarit Endri Xhafo në News24 është diskutuar lidhur me ndikimin që mund të ketë në Shqipëri zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA.
Analisti Neritan Alibali tha se në aspektin strategjik nuk ndryshojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA me zgjedhjen e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Alibali tha se reforma në drejtësi u hartua në kohën kur Trump ishte President i SHBA (mandati i parë), ndërsa lidhur me ‘non grata-n’ do të varet nga lobimi.
“SHBA po e lëvizin boshtin e tensioneve gjeo-politike nga Europa drejt Gji-Paqësorit. Mendoj se në rastin e non grata-s duhet të shikohet se çfarë lobimi do të bëhet. Ne kemi rastin kur republikanët kanë kërkuar informacione lidhur me shpalljen non grata të Berishës, por nuk morën përgjigje. Tani do të shikojmë se çfarë do të ndodhë.
Opozita në Shqipëri në raport me zgjedhjet nuk duhet të qajë, por duhet të hyjë në zgjedhje me idenë se Qeveria do të përdorë të gjitha resurset që ka”, tha Alibali.
Analistja Ornela Çuçi u shpreh se Trump pavarësisht se duket si një politikan i madh, në fakt është një biznesmen. “E gjithë politika e jashtme e Europës do të jetë gjunjëzuar në muajt e ardhshëm. Trump e ka fokusin te një Ballkan i qëndrueshëm dhe ajo që mund të them është rregullimi i territoreve. Marrëdhënia e Kosovës me Serbinë mendoj se do të jetë vëmendja kryesore e Trump në Rajon”.
(BalkanWeb)