Nga: JETON SELIMI*
Partizani kërkon të fitojë derbin për t’u rikthyer në Europë dhe pse jo, në luftë për titullin nëse Skënderbeu ndalet. Tirana kërkon të fitojë derbin për të mbajtur hapin e Skënderbeut dhe më pas të kërkojë parakalimin ndaj korçarëve në ndeshjen direkte. Por, edhe sikur të mos ishin këto, është një ndeshje Partizani-Tirana dhe kur luhet ky 90-minutësh, kryeqyteti mban frymën. Për mbrojtësin nga Kërçova, Ardian Cuculi, kjo ndeshje nuk ka nevojë për motivim, ndërsa fitoren anësori i majtë e dëshiron për tifozët e Partizanit.
Cuculi, si po e prisni ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, duke qenë se luhet jo vetëm për tribunat, por edhe për trepikëshin që ju çon në Europë?
Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Edhe pse në ndeshjen me Kukësin rezultati nuk ishte në favorin tonë, fitorja ndaj Teutës na jep shpresë dhe motivim për të vazhduar përpara. Objektivi është një vend në Europë. Jemi të motivuar maksimalisht, duke ditur që ky derbi ka karakter shumë më të lartë se karakteri sportiv. Luhet për krenarinë e qytetit, për sundimin e qytetit në gjuhën e tifozëve dhe mendoj se me një angazhim maksimal, do të marrim një rezultat pozitiv për të arritur objektivin.
Asnjëherë nuk ka ndodhur që një ekip të fitojë tre derbi rresht. Do e thyeni këtë tabu?
Në futboll çdo gjë e ka një herë të parë dhe pse të mos ndodhë edhe tani. Por, jemi me këmbë në tokë dhe me një fitore do të vulosim pjesëmarrjen në Europë, por edhe me një rezultat pozitiv do të ishim të kënaqur.
Titulli nuk varet nga ju, megjithatë Skënderbeu dhe Tirana presin një dhuratë nga Partizani për objektivat e tyre…
Të gjithë bëjnë llogaritë e tyre dhe ne bëjmë llogaritë tona. Pse të mos themi që Skënderbeu të lërë pikë ndaj Teutës, duke pasur parasysh se durrsakët janë në garë për mbijetesë. Janë edhe katër javë për t’u luajtur, por nuk varet gjithçka nga ne.
Në dy fazat e para të kampionatit, mbrojtja e Partizani krahasohej me mbrojtjen e ekipeve evropiane. Çfarë ka ndodhur në gjysmën e dytë?
Për të qenë realistë, mbrojtja është e njëjta. Kemi dhënë maksimumin në çdo ndeshje, por fati nuk ka dashur të jemi aty ku është pritur. Sulmi është ai që fiton një ndeshje, kur mbrojtja e fortë fiton kampionatin dhe ne në momentet e rëndësishme për klubin kemi çaluar. Por te Partizani ne mbrohemi dhe sulmohemi të gjithë, kështu që përgjegjësia është e të gjithëve dhe kemi dështuar si ekip dhe jo vetëm mbrojtja.
Në dy derbet e kaluara je aktivizuar në qendër të mbrojtjes. Tani që reparti është i plotë do preferoje të luaje në qendër, apo në krahun e majtë?
Është një çështje që i takon trajnerit. Unë jam i gatshëm të jap më të mirën time në çdo pozicion. E rëndësishme është që ai që do të aktivizohet, të japë më të mirën e tij.
Do firmosje për një barazim përpara këtij derbi?
Është një derbi interesant dhe po ta them një gjë të tillë do gjykohesha nga tifozët tanë. Të tria rezultatet janë brenda, por unë do të isha i kënaqur edhe me një pikë.
Tifozët janë disi skeptikë online, aludojnë, shkruajnë dhe thonë gjithçka. Keni një mesazh për ta?
Do i thosha të na mbështesin maksimalisht, siç kanë bërë gjatë gjithë kampionatit. Të shpëtojmë sezonin duke marrë fitoren, ose edhe një barazim si dhe të gëzojmë ata tifozë që nuk do të kenë mundësi të na ndjekin direkt në stadium. Nëse arrijmë Europën, do të jetë një vit shumë i suksesshëm për Partizanin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: