Impianti sportiv ku do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore të “Pueongchang 2018” ende nuk është inauguruar, por fati i tij është destinuar që tani dhe ai nuk premton të jetë pozitiv.


Ai do të prishet pak ditë pas përfundimit të këtij eventi olimpik. Madje më 18 mars do të nisë çmontimi i këtij impianti sportiv që është ndërtuar enkas për këtë Olimpiadë dhe që ka një kapacitet prej 35 mijë vendesh.


Raportohet se arsyeja e çmontimit është zona ku është ndërtuar, pak praktike dhe ku nuk zhvillohen shumë sportet dimërore si dhe kostot e mirëmbajtjes do të jenë shumë të larta.


Impanti sportiv është ndërtuar në një zonë ku dimri është shumë i ashpër dhe rrymat ajrore të ftohta që vijnë nga Siberia bëjnë që temperaturat të jenë deri në -10 gradë.

Mësohet se edhe gjatë garave që do të zhvillohen në këtë stadium organizatorët do të shpërndajnë batanije, dorashka dhe papuçe për pjesëmarrësit.

Lojërat Olimpike Dimërore ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria do të zhvillohen nga data 9 deri më 25 shkurt dhe parashikohet që në ditë të caktuara temperaturat të shkojnë edhe -14 gradë.

(e.k/BalkanWeb)