Lojtarë që nuk luajnë, ose në rastin më të mirë aktivizohen pak me skuadrat e tyre të klubeve. Akoma më keq. Të tjerë që vijnë pas dëmtimeve dhe nuk kanë 90 minuta në këmbët e tyre. Kristian Panuçi si gjithmonë ka suprizuar edhe një herë me zgjedhjet e tij në listën me 24 lojtarët që do të ketë në dispozicon për dy ndeshjet e para në eliminatoret e Euro 2020 kundër Turqisë dhe Andorrës. Tekniku do të shpjegojë gjithçka në konferencën për mediat të programuar për të dielën, por deri atëherë, mjafton të shohësh emrat në listën e publikuar nga Federata për të kuptuar se ajo nuk është aspak në koherencë me moton e tij të thirrur shumë herë me zë të lartë se në “kombëtare vijnë ata që janë më në formë”.

Naser Aliji
Naser Aliji

Panuçi ka preferuar të rikthejë në skuadër Naser Alijin, mbrojtësin që pas një periudhe të gjatë jashtë fushave dhe pa skuadër kaloi te Dinamo e Bukureshtit vetëm në merkaton e janarit. Zgjedhje e guximshme në kahun e majtë të mbrojtjes, pasi Ermir Lenjani që po kalon një formë të shkëlqyer me Sionin në Zvicër është lënë jashtë.

Titrimi
Titrimi

Një alternativë mund të ishte edhe Lorenc Trashi, por ky është diskutim tjetër dhe lidhet me faktin se Superliga nuk bën pjesë në planet e Panuçit. Edhe për mesin e fushës, pritshmëritë janë rrëzuar, pasi trajneri nuk ka preferuar dy prej lojtarëve më të formë të momentit me skuadrat e tyre, si Emanuele Ndoj që ka tërhequr vëmendjen e Serisë A dhe Keidi Bare, i cili pas çdo jave në Ligën 2 spanjolle merr vetëm vlerësime pozitive. Nuk bën përjashtim as sulmi.

Ndoj
Ndoj

Jashtë Rei Manaj, ndërsa është ftuar Eros Grezda, që në këtë vit nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Gllasgou Rejnxhërs për shkak të dëmtimit që pësoi në fazën përgatitore të dimrit. Të gjitha këto, Kristian Panuçi duhet t’i sqarojë në konferencën e së dielës, që duket se nuk do të jetë e qetë për trajnerin e kombëtares.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: