Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, pas ndeshjes së humbur 5-2 kundër Torpedos në “Europa League” ka deklaruar se kjo humbje me të tillë shifra erdhi si pasojë e mungesave për shkak të problemeve me vizat.

Shkodrani shtoi gjithashtu se lodhja për të akomoduar në Gjeorgji bëri punën e saj.

“Rezultati është zhgënjyes dhe nuk jam aspak i kënaqur me shifrat. E them se Torpedo luajti mirë, dhe arriti një rezultat të tillë. Prej problemit të vizave, luajtëm me një mbrojtës qendre, në krahun e djathtë të mbrojtjes. Nuk ishte pozicioni i tij natyral. Dhe nga ai krah, pësuam tre golat e parë, nga ku bëmë edhe gabime të pafalshme. Ekipi im erdhi për të luajtur futboll, por pavarësisht mungesave, patëm një lodhje fizike të madhe. Mos të harrojmë që edhe Rexhinaldo është bashkuar vetëm sot me ne, dhe gjendja e tij fizike nuk ishte aspak e mirë. Ai krijoi katër raste, dhe i humbi, prej gjendjes së tij fizike.” – deklaroi Cungu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb