BEOGRAD- Pas vendimit të udhëheqësve shqiptarë të Luginës së Preshevës për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë shqiptare, njësoj si ai serb në Kosovë, ka reaguar Ministri i Jashtëm i Serbisë, njëherazi edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç. Ai ka kërcënuar shqiptarët e Luginës së Preshevës që mos ta “themelojnë Asociacionin paralel të komunave siç është rasti me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe të mos luajnë me zjarrin.

Daçiç në mitingun e mbajtur në Medvegjë, ku të dielën mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, ka thënë se shqiptarët në këtë komunë dhe në komunat Bujanovc dhe Preshevë nuk duhet të jenë të diskriminuar, por duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe rendin e vendit ku jetojnë.

“I paralajmëroj ata që të shtunën në Preshevë mos të themelojnë ndonjë Bashkësi paralele me atë që është në Kosovë. I paralajmëroj ata që mos të luajnë me zjarrin dhe ta respektojnë rendin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë. Ajo që Serbia është për dialog, nuk do të thotë se është e dobësuar, përkundrazi, ajo është e fuqishme, më fuqishme në 20-30 vitet e fundit”, ka thënë Daçiç.

Gjithashtu ai ka theksuar se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës me faktin që po bisedon në Bruksel me palën kosovare.

“Sot kam dëgjuar se kryeministri shqiptar ka deklaruar se Serbia e ka njohur Kosovën me faktin që po bisedon në Bruksel. Kjo është gënjeshtër. Dua t’u them Shqipërisë dhe shqiptarëve që Serbia dëshiron marrëdhënie të mira në rajon dhe pakicës kombëtare shqiptare i garanton të drejta, por Serbia nuk do të lejojë që dikush ta përulë dhe ta cenojë integritetin e saj territorial”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit është suksesi më i madh i koalicionit qeverisës serb.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb