SERBI

Pavarësisht se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë, ku është caktuar edhe ekipi i ri negociues, i prirë nga kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç thotë se nuk ka asnjë indikacion se formati i dialogut mund të ndryshohet, ndersa shtoi se Serbia është e gatshme të vazhdojë bisedimet, por jo derisa të hiqet taksa për mallrat serbe.

“Nuk ka bisedime nga pozicione të reja”, ka thënë Daçiç për Radio Televizionin e Serbisë.

Në pyetjen nëse Fatmir Limaj është i pranueshëm për negociata me Serbinë, ai tha “sigurisht së nuk është”.

“Sa i përket formatit të dialogut, ky format është i qartë: është presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryetari i Kosovës Hashim Thaçi”, tha Daçiç, rapoton telegrafi.

I pyetur nëse vendimi për Kosovën duhet të kthehet në Kombet e Bashkuara, ai tha se dialogu do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, por se marrëveshja nuk do të ketë nëse nuk verifikohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

“Prandaj, është e rëndësishme se çfarë mendojnë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia, Kina dhe Amerika”, tha Daçiç.

Duke folur për idenë e demarkacionit të cilën ai e ka plasuar më parë, Daçiq tha se “do të ishte një lloj propozimi i drejtë, për të parë se çfarë është serbe dhe çfarë është shqiptare”.

Lidhur me letrën e presidentit amerikan Donald Trump për presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi, Daçiç vuri në dukje se në letër flitet për nevojën për të arritur një kompromis.

“Një president tjeëtër amerikan ndoshta do të shkruante se Serbia duhet ta njohë Kosovën të pavarur”, tha Daçiç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb