MILANO- Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ka thënë një ditë para bisedimeve në Bruksel se nuk ka ndryshim të qëndrimeve të Serbisë, se pala serbe do të jetë konstruktive, por se në asnjë rast nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Presim përparim, por jo në çmim të interesave tona kombëtare”, ka thënë Daçiq para gazetarëve në panairin ndërkombëtar “EXPO 2015” në Milano, raporton “Tanjug”.

I pyetur se cilat janë vijat e kuqe të delegacionit serb, Daçiç ka thënë se “gjithçka është e diskutueshme përveç njohjes së Kosovës”.

“Në asnjë rast ne nuk dëshirojmë ta njohim pavarësinë e Kosovës, ndërsa gjithçka që është nën të është e pranueshme. Për këtë arsye i kemi refuzuar deri më tani të gjitha tentimet indirekte që përmes bisedimeve neutrale të propagandohet apo definohet pavarësia e Kosovës, dhe në këtë mënyrë do të sillemi edhe më tutje”, ka thënë ministri serb, shkruan “Koha.net”.

Daçiç ka shtuar se pret presione të mëdha nga takimi i nesërm në Bruksel me delegacionin e Kosovës.

Raundi i ri i bisedimeve Kosovës–Serbi, i cili pritet të mbahet nesër më 23 qershor, do të jetë raund kyç për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb