BEOGRAD-Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka konfirmuar se në fund të muajit mars do të zhvillojë në Prishtinë një vizitë me qëllim, për të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

“Vizita ime nuk ka të bëjë me temën e statusit dhe nuk do ta ndryshojmë qëndrimin tonë për Kosovën”, tha Daçiç para gazetarëve në selinë e misionit të OSBE-së në Beograd, duke shtuar se takimi do të mbahet pa simbole shtetërore.

Daçiç ka shtuar se me këtë rast, si kryesues i misionit të OSBE-së, do të vizitojë këtë organizatë në Prishtinë dhe theksoi se vizita, gjithashtu nuk ka karakter shtetëror.

Ai rikujtoi se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës u mundësua pas bashkëpunimit me OSBE-në.

Ministri i Jashtëm serb tha gjithashtu se më 6 shkurt në Neë York do të mbahet seanca e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Siç kanë raportuar mediat më parë, ministrat e rajonit të Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë, në kuadër të Procesit të Berlinit, do të takohen në javën e fundit të muajit mars në Prishtinë.

Takimi do, ashtu si dy të parët në Berlin dhe Beograd, të organizohet sipas formulës së Gymnichut, pra pa shfaqjen e simboleve shtetërore.
(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb