BEOGRAD- Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar sot se Partia Radikale Serbe (PRS) është parti jashtëparlamentare dhe se “nuk ka kurrfarë ndikimi” në skenën politike në Serbi.

Ndërsa duke komentuar deklaratat e liderit të PRS, Vojisllav Sheshel, për Serbinë e Madhe, zoti Daçiç ka pyetur se “kush është sot Vojisllav Shesheli në Serbi?”

Ministri i jashtëm i Serbisë ka vlerësuar se Gjykata e Hagës “nuk ishte në gjendje” ta përfundojë procesin kundër Sheshelit dhe se kjo gjykatë duhet të mbyllet, pasi ajo ka zgjatur shumë, raporton agjencia Beta nga Beogradi.

“Tribunali i Hagës ka lejuar që të krijohet kjo situatë”, tha Daçiç dhe ka shtuar se “Serbia nuk ka as një milimetër përgjegjësi” lidhur me deklaratat e Sheshelit, i cili “sulmon autoritetet në Serbi”.

Këto komente ai i bëri duke e komentuar nismën e deputetëve kroatë që në Parlamentin Evropan të miratohet një rezolutë, me të cilën do të dënohen deklaratat e të akuzuarit, Vojisllav Sheshel, i cili është liruar përkohësisht për shkak të sëmundjes.

(ma.ar/rel/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb