Kur ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes Prishtinës dhe Beogradit, ministri i Jashtëm Ivica Daçiç deklaroi se Serbia nuk mund të tregojë planet që ka për Kosovën.

“Nuk mund që në detaje të tregojë se cili është plani serb në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Presidenti (Aleksandar) Vuçiç prezantoi parimet mbi të cilat duhet të diskutohet (me Prishtinën), por sapo erdhi ideja për publikun, në një farë mënyre u bllokua dialogu”, tha Daçic, shkruajnë mediat serbe.

Sipas tij Serbia synon që të gjendet një zgjidhje kompromisi mes dy vendeve. “Vendet që e kanë njohur Kosovën interpretojnë se Kosova ka kufijtë e saj, ndërsa qëndrimi ynë publik dhe Kushtetuta thonë se Kosova është pjesë e Serbisë. Në qoftë se ju thoni se ka dy zgjidhje kryesore, njëra se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe tjetra se ajo duhet të ketë shkallën më të lartë të autonomisë në kuadër të Serbisë, do të shihni se asnjëra zgjidhje nuk është e pranueshme për të dyja palët”, thuhet më tej në reagimin e tij.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: