Nga: Enida Himaj*

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka pranuar se Serbia e ka të vështirë që ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Europës dhe UNESCO. Deklaratat e numrit dy të qeverisë kanë shkaktuar jehonë në mediat ndërkombëtare. Sipas Daçiç, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lobojnë shpesh për Kosovën në takimet e niveleve të larta ndërkombëtare. Gjithashtu ai akuzoi sërish Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara se ndërhyjnë shpesh në takimet e OSBE-së, për të pyetur kur do të marrë pjesë edhe në to Kosova. Sipas tij, kjo nuk sjell asnjë avantazh, përkundrazi, vetëm sa rëndon edhe më tej situatën mes dy shteteve. Në seancën e fundit të Asamblesë së OSBE-së, më 18 shkurt, Daçiç replikoi me përfaqësuesin e Shqipërisë, Eduart Selami, kur ky i fundit e pyeti nëse Serbia do të ishte e gatshme të pranonte Kosovën ndërsa mbante Presidencën. Pyetjes së Selamit se nëse Serbia është e gatshme të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ndërsa Serbia mban Presidencën e saj, Daçiç iu përgjigj se: “Nuk mund ta pranojmë Kosovën si anëtare me të drejta të plota. Mund të marrë pjesë në forumet rajonale dhe nuk e pengojmë aspak rrugën e saj në Bashkimin Europian, por për sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, që do të thotë pranim i pavarësisë, kjo nuk do të ndodhë”. Përgjigjja aspak diplomatike e ministrit të Jashtëm, ka shkaktuar pakënaqësi edhe në mediat amerikane, të cilat nuk i kanë kursyer komentet negative, madje duke e quajtur edhe si një incident diplomatik deklaratën e dhënë nga Daçiç. Për këtë incident, Daçiç ka raportuar edhe në Komisionin parlamentar serb për Punët e Jashtme. Edhe aty, sipas mediave serbe, Daçiç siguroi se kjo nuk do të ndodhë pa konsensus, që për momentin duket larg, duke qenë se Serbia mohon në mënyrë kategorike ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, duke e ndaluar të marrë pjesë në Asamblenë e OSBE-së. Sipas Daçiçit, si shef i politikës së jashtme serbe, vendi duhet të përqendrohet në marrëdhëniet e mira me miqtë tradicionale në Amerikën e Jugut, Afrikën dhe Azinë që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. E duket se ia ka dalë në këtë mision të tijin, duke qenë se shumë vende të Amerikës Latine, apo edhe të Afrikës, kanë refuzuar ta njohin Kosovën si shtet të pavarur, pikërisht për shkak të partneritetit që kanë me Serbinë. Kjo nuk është hera e parë që Daçiç jep deklarata të forta në lidhje me Kosovën në takime të niveleve ndërkombëtarë. Shefi i diplomacisë serbe, ka mbajtur një qëndrim mjaft radikal edhe sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë dhe Serbisë në BE. Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Serbia duhet të hyjë në BE, pasi nëse mbetet jashtë bllokut, atëherë do e tejkalojë edhe Shqipëria. Sipas tij, nëse kjo ndodh, serbët duhet të bëjnë vetëvrasje kolektive. “Nëse Shqipëria na tejkalon në zhvillimin ekonomik, kjo do të thotë se ne si popull, duhet të kryejmë kolektivisht harakiri [nga japonishtja: vetëvras-je”] , ka thënë kryeministri serb, duke shtuar se nuk ka gjë kundër Shqipërisë, por “ky vend gjithmonë ka qenë sinonim i standardit të dobët jetësor”.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: