NGA FATMIRA NIKOLLI
100 vjet më parë në “Cabaret Voltaire”, Vladimir Lenin do të fiksohej në një fotografi tashmë historike me Tristan Tzara, themelues i dadaizmit duke luajtur shah. Rrugët e tyre do të ndaheshin më pas; njëri për të udhëhequr revolucionin rus e tjetri, revolucionin kulturor. 100 vjet më pas, ata ritakohen në një lojë shahu, këtë herë kilometra larg Zyrihut e “Cabaret Voiltare”. Pas Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ende rri në këmbë i gjymtuar Lenini, do të përkujtohet Tzara në kuadër të një shekulli të dadaiizmit.
DaDAEAST/DaDADaY -Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë është një festival i llojit nomadik, që lëviz nga një vend në tjetrin. Tipike e kësaj paraqitje është një festival në lëvizje, që ka lidhje me kryeqendrat. Në çdo qytet të vogël që është zhvilluar siç është Këlni apo Mantova nuk ka pasur shkëlqimin që ka pasur në kryeqytete, ndaj kemi vendosur që edhe Tirana t’i ngjajë kryeqyteteve ku është zhvilluar. Kur Arian Leka thotë këto fjalë, po vihen pikat e fundit mbi i të programit të aktivitetit që mbahet në datat 26-30 shtator në Tiranë.
Leka, drejtues i Poetekës dhe i këtij festivali, thotë se do ketë dy repriza të premierave botërore, që kanë ndodhur në “Kabare Voltaire”- vendi ku është themeluar dadaizmi 100 vjet më parë. “Në shkurt dhe në prill të këtij vitit, janë bërë dy performanca për herë të parë në ‘Kabare Voltaire’ dhe përsëriten të dyja në Tiranë: njëra nga Demosteni Agrafiotis dhe e dyta është e peshkopit ortodoks Metodij Zlatanov”.
SIMBOLIKA/ VENDE KOHËSH TË TRISHTA
Në vende të kujtesës komuniste, si ideologji që ndaloi rrymën dadaiste, të huaj e shqiptarë përkujtojnë atë që nuk erdhi kurrë në Shqipëri përmes vargjesh.
Të gjitha veprimtaritë që mbahen në kuadër të festivalit, kanë para ose pas, pjesëzën dada: “dadawalk”, “dada clock”, “mamadada”- fjala dada vihet që të godasë sepse poezia e parë që është krijuar ruan këtë ritëm: da da da. Ne kemi dashur ta riprodhojmë edhe pas 100 vjetësh këtë, thotë Arian Leka. Ceremonia e hapjes bëhet tek “Reja” që është stacioni i përnatshëm i veprimtarive Dada.
Ai tregon se veprimtaria fillon me “Dadawalk”, që është udhëtim nëpër Tiranë. Nis në sheshin “Bukuresht” si një guidë kulturore nën emërtimin “Përballë fasadave”. “Pse Burkureshti? Sepse është pika më e afërt prej vendit ku u vu bomba në Ambasadën Sovjetike. Ishte aty që filloi terrori kundër mendimit të lirë intelektual në Shqipëri. Nuk është më çështja vetëm te fakti që u vranë 22 njerëz, çështja është që prej këtyre vrasjeve, mijëra të tjerë u strukën. Shpjegohet ky kontekst, i cili tregon se u struk mendimi intelektual, u strukën edhe të gjitha rrymat”.
Leka kujton se më 1948 ishte bërë Kongresi i Tretë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe aty u vendos që të mos ketë asnjë prirje moderniste në letërsinë shqipe. Më 1951, hidhet bomba në ambasadë dhe çdo gjë merr fund, çdo shkëndijë. “Themelohen organet e reja letrare dhe nuk ka më asgjë përveç realizmit socialist. Prej aty ne ecim drejt ish-Radio Tiranës, gjithmonë përballë fasadës. Ky ishte institucioni që lejoi çdo kulturë tjetër të shfaqej përveç modernizmit, i cili nuk mbërriti kurrë në Shqipëri. Prej këtu, rruga na çon tek Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe flitet çfarë ishte ky institucion dhe cili qe produkti i këtij institucioni, që prapë ndaloi dhe pengoi ardhjen e modernizmit në Shqipëri. Ndalesa tjetër është ‘Shtëpia e Gjetheve’, po para fasadës, për të folur për institucionin që përgjoi çdo jetë, gjithnjë të linjës kulturore, të modernizmit”.
DADAbunk mbahet pranë Postbllokut, në hyrje të ish-bllokut. Aty, tek Kolona e Spaçit bëhet aktiviteti “Pinoku në barkun e balenës”. “Pinoku është simboli i njeriut që lëviz nga gënjeshtra tek e drejta derisa kupton vlerat e vërteta humane. Ndërsa brenda këtij ‘barku’ futen tipologjitë e shkrimtarit që kanë lëvizur stilistikisht, moralisht. Tek copëza e murit të Berlinit, që ka formën e shkronjës l, veprimtaria titullohet ‘Liberty’ dhe në një krah është autori gjerman Dorian Steinhoff dhe në tjetrin një autor shqiptar”, thotë organizatori i DaDAEAST/DaDADaY -Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Tiranë.
ARTI SI PUSHTET
Pas Lidhjes, një pikë tjetër me simbolikë, është pranëvënia me dy pushtete: shpirtëror e politik. “Futemi tek shtegu mes Katedrales Ortodokse dhe Partisë Socialiste. Shëtitja aty i shkon kontekstit që arti është një pushtet më vete. Këtu, në një anë kemi pushtetin religjioz, në anën tjetër kemi pushtetin politik dhe arti futet midis si një pushtet më vete. Deri tani, të gjithë numërojnë median si pushteti i katërt, atëherë i bie që arti të jetë pushtet i pestë? Pse është mbyllur me katër?”, pyet Leka, duke shtuar se arti është padyshim një pushtet, mbase i keqpërdorur, kryesisht nga vetë artistët që kanë dashur të përdoren, e kryesisht nga politika.
LENINI PËRBALLË TZARËS, LOJA E FUNDIT
Në kujtesë të lojës së shahut të vitit 1916, 100 vjet më vonë, pas shpinës së Galerisë Kombëtare të Arteve ku është statuja gjigande e Leninit me një dorë do të mbahet performanca “Edhe një shah me Leninin”. Kjo Lidhet me foton e famshme të Tristan Tzarës, i cili themeloi dadaizimin. Tanimë, Leninit i thuhet se nuk luan dot. “Aty do të performojë poeti francez Patrick Dybost me përkthyesin e tij shqiptar. Do luajnë shah- unë lëviz dhe them poezinë time, e ti, lëviz me tekstin tënd”.
Një ndalesë tjetër është Kulla e Sahatit me aktivitetin “Dadaclock”. Leka bën me dije se është lexim në Kullën e Sahatit ku bëhen dy lexime të ‘Sound Poetry’ nga Amerigo Rodriguez dhe Patrick Dybost. Deri tani Kullën e Sahatit, e kemi kthyer në një objekt simbol të qytetit, por ajo ende nuk e ka ndjerë prekjen kulturore. Aty artisti futet dhe lëshon zërin e kulturës dhe zërin e qytetit”.
SIMPOZIUMI
Në numrin e madh të aktiviteteve që mbahen në pesë ditë, do të mbahet edhe “Simpoziumi i artit, artistit dhe avangardave në Shqipëri”. Pra, a duhet më artisti të jetë i tërhequr?, pyet Leka, duke shtuar se ne artikulojmë që gjithë terrenin e ka pushtuar politika, por nuk ka ndodhur asnjë mrekulli, asnjë luftë, asnjë pushtim, thjeshtë janë tërhequr artistët. “Secili është mbyllur në studion e vet, për të perfeksionuar vargun dhe ka hequr dorë nga një dimension që arti e ka pasur, që është dimensioni i ndikimit në shoqëri. Ky nuk është një produkt vetiak, sepse secili që e prodhon do ta nxjerrë në shoqëri për të thënë ‘unë e krijova”.
Në këtë pikë, Leka shton se Shqipëria është shumë mbrapa, qoftë edhe autorët e rajonit janë shumë më përpara në kërkesën për të pasur një ndikim shoqëror, qoftë edhe në përmirësimin e estetikës.
PESHKOPI DADAIST dhe TË FTUARIT
A do të ketë vend për hatërmbetje, nga ata që ndihen të gjykuar se kanë heshtur? Arian Leka thotë se nuk ka vend për fyerje, pasi secili e ka vetëzgjedhur pozicionin e tij, koha kur dikush të diktonte jetën ka ikur. “Sot, askush nuk të detyron të bësh diçka, secili e ka zgjedhur vetë, të jetë i shfaqur a i fshehur, në sulm apo në tërheqje, në baticë apo në zbaticë. As ne vetë, nuk duam të detyrojmë njeri që të bëhet aktiv. Çështja është, të jetosh si në shekullin e 21-të. Nëse do shihnim në rrugë dikë me pajton e me frak, padyshim do thoshim se po xhirohet një film. Arti s’ka pse të jetë i tillë”.
Mbi praninë e performancës së peshkopit dadaist maqedonas, Metodij Zlatanov, Leka thotë se jeton në Shkup dhe është poet që shkruan poezi dadaiste. Ai vëren se dadaizmi u tërhoq shpejt nga skena, lejoi surrealizmin të zhvillohej, sidomos pasi u nda me manifestin e kulturës proletare, “Proletkunst” ku nuk pranoi që arti të jetë proletar.
“Priftërinjtë i kemi parë si dijetarë, e ai është poet, por lëvron një formë të avancuar të poezisë dadaiste. Nuk ka asgjë për t’u habitur. I kemi futur në një grupim ata nuk janë vetëm të tillë, ka edhe të tillë. Ai përbën një përjashtim, jo vetëm për Shqipërinë, as për rajonin, është rast unikal në kontinent”, thotë Leka, duke shtuar se në datën 20 prill ka pasur performancën e tij në Kabare Voltaire. “Do na vijë performuesi i poezisë së tij, për të treguar se kush është ai dhe pse është i tillë, pse ka nevojë të zbutet përmes poezisë.
“Ai i ka kushtuar një psalm kësaj rryme. Nëse ka psalme kushtuar zotit dhe shenjtëve, ai ka shkruar një psalm kushtuar Hugo Ball-it që është në grupin themeltar të grupit dadaist. Fotot e tij, aty ku peshkopët e tjerë mbajnë shën Mërinë, Krishtin apo apostujt ai ka dalë me Hugo Ball. Ka vepra në kolazh dhe nuk i bën për të ulur vlerën e religjionit, por i propozon si religjion alternativ dhe arti ka të shenjtën e vet”.
HISTORIA E NJË FOTOJE
Më 1916 Lenini me të shoqen kanë jetuar në Zyrih, madje një rrugë më tutje nga ku edhe sot është Kabare Voltaire, e njëjta si e 1916-ës, me ato veshje muresh e aredim. “Duke qenë se jetonte pranë Lenini ka qenë një ndër frekuentuesit dhe ka ndjekur mbrëmjet dadaiste, ka dëgjuar poezitë e tyre dhe kur ka pasur kohë, kanë luajtur shah çka dëshmohet përmes fotove me Tristan Tzara. Më pas, këto dy pushtete ndahen, Lenini kthehet në Rusi dhe ndodh revolucioni, Tzara vazhdon punën me Dadaizmin dhe bën revolucionin në art”.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)