TIRANË

Ndoshta për herë të parë socialistja dhe ish-ministrja e Jashtme Arta Dade ka folur hapur kundër kryeministrit Edi Rama. E ftuar në “A show” në News24 ajo pranoi se është jashtë strukturave të PS dhe atyre politike, ndërsa vuri në pikëpyetje aftësitë e Ramës për politikën e jashtme. Ajo tha se në vitet e fundit në Shqipëri nuk ka pasur vizita zyrtare të nivelit të lartë nga liderë të vendeve të BE-së dhe as kryeministri shqiptar nuk ka bërë vizita zyrtare.

“Në vitet kur u vu në krye të PS-së, jo vetëm që nuk kishte njohuri për politikën e jashtme por edhe nuk e përfillte. Kur u bë kryeministër e kam ndjekur me kënaqësi që fliste për politikën e jashtme. Se sa serioz është me partnerët, se sa i pranueshëm është sidomos në vitet e fundit, kjo tregohet dhe në vizita të nivelit të lartë. Ne s’kemi vizita të nivelit të lartë. Flas për vizita zyrtare jo vizita pune, sepse ka një diferencë shumë të madhe midis vizitave zyrtare dhe vizitave të punës. Shqipërinë nuk e kanë vizituar kryeministra të vendeve, qofshin këta dhe të BE-së, as kryeministri i Shqipërisë nuk ka bërë vizita zyrtare në vendet që ne i konsiderojmë partnerë strategjikë por edhe në vende që kanë një peshë në BE. Flas gjithmonë për vizita zyrtare, të planifikuara, me një protokoll”, tha Dade.

Për sa i përket vetëemërimit të Ramës si ministër i Jashtëm, ish-deputetja socialiste tha se kjo që ka ndodhur sot është një artificë për të këmbëngulur për opsionin e vetë.
“Sepse fakti që e thekson që do të jem ministër i jashtëm de jure do të thotë që de fakto do të jetë zv.ministri dhe aty ka dhe dy zv.ministra të tjerë, por me sa duket ky do të bëjë rolin e ministrit, i njëjti individ.
Ajo që mua më ka befasuar është që pse kryeministri duhet të bëjë gjithë atë luftë me një gjuhë të papranueshme institucionale për të këmbëngulur deri në fund fare për këtë emër. Nuk e di, se ka bërë këtë as për të dalë në krahë të bashkëpunëtorëve të tij, të bashkëudhëtarëve të tij, as kur na kanë sulmuar. Unë vetë kam qenë një nga target e opozitës. Kjo më befason, si ka mundësi të krijohet ky problem kaq serioz me Presidentin e Republikës”, u shpreh ajo, raporton “BalkanWeb”.

Dade tha se Maqedonia mund të sigurojë më shpejt se Shqipëria hapjen e negociatave duke vlerësuar qëndrimin e kryeministrit Zoran Zaev.
“Ka shumë mundësi që Maqedonia do ia kalojë Shqipërisë për hapjen e negociatave. Kryeministri i Maqedonisë është treguar shumë i përulur dhe ka arritur të sigurojë votat për emrin. Ndërsa kryeministri ynë në mënyrë të veçantë kohët e fundit vetëm hap probleme dhe kjo nuk është bukur”, tha ajo.

E pyetur nëse ka menduar se mund të propozohej për ministër të Jashtëm, Dade mohoi duke sjellë si argument faktin që është jashtë strukturave të PS.
“Nuk më shkoi në mendje sepse jam jashtë strukturave politike dhe jashtë strukturave të partisë. Jam jashtë sepse ju ndoshta e keni ndjekur një mbledhje të asamblesë që unë kam refuzuar të jem pjesë e kryesisë sepse kryesia është një fasadë”, deklaroi Dade.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb