Historia e panikut që përhapi klipi i këngëtares Ronela Hajati dhe performancës së valltarëve me veshjet e ISIS që u fotografuan rrugëve të Tiranës ka përfunduar edhe në “Daily Mail”.

Në një artikull shkruhet se këngëtarja shqiptare shkaktoi panik në mesin e vendasve të cilët u frikësuan nga valltarët e veshur me uniformat e ISIS në anën e pasme të makinave. “Në polici vërshuan thirrje të shumta për të denoncuar ‘praninë e njerëzve të veshur si militantët e ISIS’, që u panë rrugës në periferi të Tiranës”.

Në mesin e atyre që ngritën alarm ishte edhe deputetja Mesila Doda e cila postoi fotot në llogarinë e saj në “Facebook”.

Policia nis procedim penal me dy akuza ndaj këngëtares Ronela Hajati, për xhirimet e klipit të ri të saj. Imazhet e realizimit të klipit të publikuara të shtunën në rrjetet sociale, shkaktuan panik e debate, pasi figurantët ishin veshur dhe ngjanin me formacionet e ISIS­-it.
Në një intervistë, këngëtarja tregon idenë e saj për xhirimin e një klipi me veshje të tilla, i parashikuar prej disa muajsh në axhendën e saj.
Nga ana tjetër, Policia e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj saj dhe ka referuar materialet në Prokurori për prishje të qetësisë publike dhe pengim të qarkullimit.
Këngëtarja shprehet e habitur se përse mund të ishte e nevojshme një leje për të kënduar. Madje, ajo thotë se ka xhiruar edhe klipe të tjera në mes të Tiranës, me skena edhe më të frikshme se ajo e të shtunës dhe askush nuk ka reaguar në këtë formë. Ndërsa tregon se ka shkuar vetë në Polici dhe ka sqaruar gjithçka.

Por këngëtarja është kritikuar në rrjete sociale ku dikush i ka shkruar: “Miss Hajati, ti frikësove fëmijët tanë me atë klip dhe je ti ajo që po krijon drama. Në rast se po e bën këtë video ti do të dështosh totalisht me këtë klip, dhe kjo vetëm nga rrobat që ke zgjedhur të veshësh. Ndaj më mirë stop me deklarata e gjithashtu me klipin”.

(el.sp/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb