Zëvendësministrja e Financave Dajna Sorensen e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se punësimi i të rinjve në vendin tonë ka njohur rritje.

Sorensen u shpreh se punësimi i të rinjve ka një trend pozitiv. Ajo shtoi se punësimi i të rinjve bëhet më shumë nga bizneset sesa nga qeveria.

“Ne kemi një trend pozitiv të punësimit të rinjve gjatë kohëve të fundit. Në çdo vend të botës, rinia ka një papunësi më të madhe se pjesa tjetër e popullatës. Mund t’iu flas edhe me shifra. Në vitin 2018, papunësia te të rinjtë ka qenë 23.2 për qind, më e ulëta e shënuar ndonjëherë. Në vitin 2015 për shembull, papunësia te rinia ka qenë 33.2 për qind. Kemi parasysh këtu se te rinia bëjnë pjesë personat që janë 15 deri 29 vjeç. Nuk është vetëm shteti që krijon vende pune, por edhe bizneset. Bizneset janë ata që punësojnë të rinjtë dhe për fat të mirë, bizneset janë fuqizuar dhe punësimi nga ta ka qenë më i madh”, tha zv.ministrja Sorensen.

Dajna Sorensen theksoi se rritja ekonomike aktuale në Shqipëri po bën që punësimi i të rinjve të njohë rritje. Ajo tha se shtimi i bizneseve në vend ka bërë që punësimi të njohë rritje.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb