Nga: AURORA GOLEMI*
TIRANE – Rrëshqitja masive e dheut pranë banesës, në orën 4 të mëngjesit të së martës, ka zgjuar me tmerr 26-vjeçaren Ada Kotarja dhe tezen e saj në zonën Shkoza 2, në njësinë administrative Dajt. Pamja para banesës së vajzës, i ngjasonte pasojave të një tërmeti.
“Dëgjuam zhurma, por kishim frikë të dilnim, ndihem shumë e rrezikuar se jam e vetme vetëm me tezen”- tha Ada.

Banesa një katëshe e familjes Kotorja rrezikon seriozisht shembjen për shkak të rrëshqites së dheut nga shirat intensive që kanë rënë ditët e fundit, pasi themelet janë zbuluar.
Jeta e Ades dhe tezes së saj është vendosur në fije të perit kur një shtylle tensioni u rrëzua mbi çatinë e fqinjëve. Të afërmit e 26-vjeçares apelojnë pasi vajza banon e vetme. Ajo tashmë përveç dramës së humbjes së të atit, një muaj më parë do t’i duhet të jetojë me frikë çdo moment, se mos shtëpia do rrokulliset poshtë.
“U trembëm, lajmëruam policinë, shtylla e tensionit goditi murin rrethues ra mbi fqinjën. Komunës Dajt dhe shtetit i bëjmë thirrje për ndihmë. Janë dy gra që jetojnë këtu vetëm edhe e duan një ndihmë patjetër nga shteti”- deklaroi një e afërme e familjes Kotorja.

Punonjësit e OSHEE me shpejtësi kanë ndërprerë energjinë elektrike dhe kanë thënë se do ta zhvendosin disa metra më larg, por ndihma nga emergjencat për të ndërhyrë me eskavatorë nuk kishte shkuar në banesë.

Një i afërm i familjes kërkoi ndihmë nga emergjencat civile por kompetencat e njësisë administrative të Dajtit, me ndarjen e re territoriale janë shkrirë dhe nuk ka më një grup emergjencash.

Së bashku me të afërmin e familjes Kotorja, “News24” shkoi pranë njësisë administrative Dajt. Sipas specialistit të urbanistikës në këtë njësi, i cili komunikoi me administratorin zotin Kujtim Qefalia, i mbetet Bashkisë së Tiranës të ndërhyjë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që kjo familje mos i gdhijë e ngrysë ditët me frikën se banesa do shembet.

Nga vëzhgimi që bëmë, pamë se janë disa banesa në këtë njësi që rrezikojnë të shemben për shkak të rrëshqitjes së dherave. Mësuam se shumë banesa në këtë zonë nuk janë të legalizuara, pasi për këtë proces duhet firma e ekspertëve, të cilët garantojnë sigurinë e banesës, por në këto kushte që ndodhen ato, legalizimi është i pamundur.

Mësuam se shumë banesa në këtë zonë nuk janë të legalizuara, pasi për tu futur në legalizimin duhet firma e ekspertëve, të cilët garantojnë sigurinë e banesës, por që në këto kushte që ndodhen këto banesa, kjo është e pamundur.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: