DURRES- Vangjush Dako, kandidati i majtë që kërkon mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Durrësit ka shpalosur pikat kryesore të platformës së tij mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për tu zgjuar” në News24.

Dako u shpreh se vizioni i tij për Durrësin është shfrytëzimi i aseteve potenciale që ky qytet ka. Kjo përkthehet në zhvillim ekonomik sipas tij. Ai i është përgjigjur edhe akuzave për mospërballjen në debat me rivalen e tij.

“Vizioni im është zhvillimi ekonomik i bazuar tek toka dhe deti. Të shfrytëzojmë detin për të ardhura për durrsakët, për turizëm dhe peshkim. Në Durrës ka tokë bujqësore të pasur, të cilën duhet ta shfrytëzojmë”.

Dako shtoi se në 4 vitet e ardhshme synon që qyteti të thithë sa më shumë investitorë. “Nga lehtësirat dhe mungesa e korrupsionit ata ndjehen mirë në qytetin e Durrësit”,-shtoi ai.

Ndërsa duke u ndalur tek fushata ai shtoi, “Fushatën e kemi përqendruar në 8 kolona, program për 4 vitet e ardhshme dhe në fund kemi një Durrësi 2030, për të treguar se analiza jonë për qytetin është bërë deri në 203,0 që një kryebashkiak të hedhë themelet se ku do të jetë Durrësi në këtë vit, se kryetarët ikin, Durrësi është aty”.

Kandidati Dako premtoi gjithashtu projekte për infrastrukturën e brendshme të qytetit të Durrësit dhe të jashtme. Ai tha se vëmendje e madhe do ti kushtohet bujqësisë, ku janë planifikuar projekte të shumta. 18 rezervuara do të vihen në funksio, në mënyrë që të mos mungojë uji për vaditje. Gjithashtu do kryhet pastrimi i kanaleve kulluese.

“Projekte për infrastrukturën, projekte për bujqësisë. 18 rezervuara do të vihen në funksion, pastrimi i kanaleve kulluese. Kemi projekt të qartë për bujqësinë. Duke krijuar Inspektoratit e tokës bujqësore që do ti vijë në ndihmë fermerëve. Do të krijojmë një pikë grumbullimi për fermerët e zonës, që të gjitha produktet të mblidhen në një dorë që fermeri të merret vetëm me prodhimin”, tha Dako.

Më tej ai përmendi turizmin si një nga pikat kyçe të zhvillimit të Bashkisë së Durrësit duke renditur disa prej projekteve të planifikuara.

“Turizmi, ndërtimi i një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit. Do stimulojmë turizmin e biznesit. Do krijojmë sa më shumë aktivitete. Të shfrytëzojmë detin për lojëra uji. Të kemi mundësi që edhe zona e Kallmit të ndërtohet me eko-resorte që të mos kemi turizëm vetëm gjatë muajve të verës. Investimi më i madh është ai i furnizimit  me ujë dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Është një kredi e BB 80 mln dollarë për këtë projekt. Pas një viti çdo familje durrsake do të ketë 3 herë më shumë ujë se sot. Falë investimeve tona kemi sistemuar totalisht lagjen 18 që ishte problematike për ujin e pijshëm”, deklaroi kandidati i majtë për Bashkinë e Durrësit.

I pyetur nga gazetari Bashkim Hoxha për mospërballjen në debat me kandidaten e djathtë Grida Duma, Dako deklaroi se ishte rivalja e tij ajo që nuk erdhi në debat, sipas tij duke mashtruar qytetarët.

“Në emisionin e Dudushit, rivalja nuk erdhi në debat. Ajo mashtroi qytetarët e Durrësit dhe shumë më gjerë. Rivalja i mashtroi duke mos ardhur, duke nxjerrë ca video të sigurimit të shtetit, të gjyshit të vetë”, deklaroi Dako.

Ai ka ftuar qytetarët ti bashkohen mitingut përmbyllës të Aleancës për Shqipërinë Europiane që do të mbahet sot në Durrës.

“Ftoj qytetarët sot të vijnë në sheshin “Liria” për të ndjekur mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të ASHE, jo vetëm të Durrësit por gjithë Shqipërisë. Unë do të bëj atje edhe prezantimin e programit për 4 vitet e ardhshme”, tha Dako.

Kandidati i majtë, u shpreh se avantazhi i tij përballë kandidates së djathtë është puna që ka bërë këto 8 vjet. Ai i bëri thirrje qytetarëve të votojnë të dielën dhe të zgjedhin drejtimin e duhur, pasi ky është investimi më i mirë për veten e tyre. “Avantazhi im është puna, vepra që kemi realizuar këto 8 vite në Durrës. Dua ti bëj thirrje gjithë qytetarëve të dalin në votim për të dhënë një mesazh që jemi një vend demokrat, që mendojmë se me votën tonë ndryshojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Në asnjë rast nuk kemi pasur problem gjatë zgjedhjeve në Durrës, besoj se zgjedhjet do të shkojnë mirë. Nuk ka arsye që të paraqesi problematikë. Mesazhi për elektoratin: Të marrë pjesë në votime, të votojnë drejtimin e duhur sepse është investimi më i mirë për veten e tyre”, përfundoi Dako.

 

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: