DURRES- Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, është ndalur në zonën e ish-Kënetës ku ka zhvilluar një takim me banorët që jetojnë në këtë vend. Në fjalën e tij, Dako ka kërkuar mbështetjen e banorëve për një mandat tjetër në mënyrë që, siç u shpreh ai, të vazhdojmë ndryshimin që kemi nisur për qytetin. Dako ka deklaruar se: “në dy mandate me rradhë kam pasur fatin të punoj më banorët e vjetër dhe të rinj të Durrësit, dhe më duhet të them se këta të fundit kanë shumë halle dhe probleme, por që të gjithë më kanë mirëkuptuar, janë treguar të duruar dhe të sjellshëm duke më mbështetur në dy mandatet e kaluara”.

Dako ka deklaruar se në zonën e ish-Kënetës nis puna për mbylljen e dy kanaleve të hapura si dhe ndërtimin e rrugëve sipër tyre. Gjithashtu, përveç 10 rrugëve që janë ndërtuar gjatë vitit të fundit, bashkia ka planifikuar ndërtimin e disa rrugëve të tjera. “Me Qeverinë Rama, vetëm në një vit, kemi përfituar 4 milion dollarë vetëm për zonën tuaj për rrugë, çerdhe dhe shkolla, por të tjera fonde do na vijnë nga Qeveria për shumë projekte të tjera”, tha më tej kryebashkiaku i qytetit bregdetar.

Vangjush Dako ka shpjeguar edhe projektin e ujit të pijshëm, i cili financohet nga Banka Botërore, duke sqaruar edhe premtimet që po bëhen nga rivalja e tij në këto zgjedhje. “Ju keni dëgjuar këto ditë premtimin e njëjtë se do të sjellë ujin në Durrës, etj. Është e vërtetë se ky projekt kishte 6 vjet që ishte gati për financim, por Banka Botërore kërkonte që marrëveshja të firmosej nëpërmjet saj dhe bashkisë, por qeveria e kaluar nuk i’a kalonte Ujësjellësin bashkisë, duke e mbajtur projektin të bllokuar për 6 vjet. Vetëm në shtator të viti 2013, ndërmarrja e Ujësjellësit kaloi në varësi të bashkisë dhe menjëherë u nënshkrua marrëveshja midis Bankës Botërore dhe bashkisë me garancinë e qeverisë. Prandaj, ky projekt po realizohet vetëm tani falë vizionit dhe mbështetjes tonë, dhe pas një viti në shtëpitë tona do ketë tre herë më shumë ujë”, tha Dako.

Kryebashkiaku Dako ka deklaruar se ne kemi përballë një alternativë të dështuar dhe bllokuese që duhet ta ndëshkojmë me votë, sepse kjo alternativë mbajti të bllokuar për 6 vjet projektin e ujit të pijshëm dhe rrugën paralele me murin e portit. “Sot kemi një realitet të ri, kemi gati një projekt për ujin e pijshëm dhe kanalizimet që nisin brenda muajit shtator dhe një rrugë të re për qytetarët tanë, që u mbajtën të bllokuara nga qeveria e kaluar”, përfundoi Dako.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb