DURRËS- Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, është takuar me përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian të Partisë për Evropianizim dhe Integrim në mjediset e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Gjatë bashkëbisedimit, Dako ka rikonfirmuar sërish gatishmërinë për mbështjetjen e njerëzve në nevojë në mandatin e ri, me projekte konkrete që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe integrimin e këtij komuniteti në jetën sociale, ekonomike e kulturore të qytetit bregdetar.

Kandidati socialist ritheksoi sërish zotimin e tij se mandati i ardhshëm në krye të bashkisë do të jetë mandati i njerëzve në nevojë.

“Kemi punësuar shumë njerëz nga komuniteti juaj në ndërmarrjen e pastrim-gjelbërimit, dhe ndermarrje të tjera, që çdokush nga ju të ketë mundësi që me punë të ndershme të mbani familjet tuaja,” – është shprehur Dako.

“Unë ju garantoj që ky mandat do të jetë mandati i mbrojtjes së njerëzve në nevojë. Do bëjmë të pamundurën, do trefishojmë fondin për familjet në nevojë, do të trefishojmë shërbimet për familjet në nevojë në qytetin e Durrësit”, – ka pohuar Dako.

Takimin e përshëndeti edhe z. Rivelino Çuni, Kryetari i Partisë për Evropianizim dhe Integrim, i cili e falënderoi kreun aktual të bashkisë së Durrësit për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën që ai ka dhënë për komunitetin rom, si dhe u shpreh i bindur për bashkëpunimin e ngushtë edhe në mandatin e ri.

Më tej, z. Dako është zotuar se investimet e realizuara deri më tani në Durrës do të luajnë një rol të rëndësishëm edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit rom e egjiptian që jeton në qytetin bregdetar dhe në mandatin e ardhshëm, ekipi që ai drejton ka projekte konkrete në drejtim të rritjes së aksesit te shërbimet sociale.

“Në Qendrën Komunitare të ndërtuar në NISH-Tulla, do të shtojmë personel që të jemi në shërbim të komunitetit që jeton në atë zone”, – tha Dako, duke theksuar se “do të vazhdojmë punën tonë me projekte konkrete, me ndërtimin e banesave sociale, një plagë aq të mprehtë për komunitetin tuaj, si dhe shumë projekte të tjera të parashikuara për t’u zbatuar përgjatë mandatit të ardhshëm”, u shpreh Dako gjatë fjalës së tij.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: