DURRËS- Kreu i Bashkisë së Durrësit, i cili rikandidon për këtë post, është takuar sot me banorë të lagjes 17 ku deklaroi se premtimet janë mbajtur dhe sot 342 banesa sociale janë në dispozicion të tyre. Dako premtoi gjithashtu mirëqenie nëpërmjet nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe kthimin e Durrësit në qytet turistik evropian.

Aktualisht janë shpërndarë 126 apartamente, 128 të tjera janë në proces dhe 88 banesa sociale të tjera do të ndërtohen në zonën e Shkozetit. Në këtë mënyrë janë 342 banesa sociale për kategoritë e njerëzve në nevojë që përfitojnë nëpërmjet këtij programi strehimi.

“Kjo lagje ka tashmë një infrastrukturë të rehabilituar, gjithçka u mundësua falë përkushtimit dhe vëmendjes që Bashkia i ka kushtuar kësaj zone, nëpërmjet rikonstruksionit të lulishtes kryesore dhe rrugëve dytësore të kësaj zone. Këto investime kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e jetesës së banorëve të kësaj lagjeje”, tha Dako, i cili u zotua para banorëve se “në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar do të rikonstruktohet rruga që lidh lagjen 17-të me autostradën.”

Sfida kryesore për  katër vitet e ardhshme, vuri në dukje Dako, është puna dhe përpjekjet për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e nivelit të jetesës për banorët e kësaj zone, me qëllim kthimin e Durrësit në qendër kryesore turistike më parametra evropianë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: