DURRËS- Kandidati i së majtës për kryetar Bashkie në Durrës, Vangjush Dako ka zhvilluar takimin me durrsakët e vjetër, apo siç njihen në qytetin bregdetar, banorët e lagjes “Sefer Efendiu” te kodra e qytetit.

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane prezantoi vizionin e tij për 4 vitet e ardhshme, të cilat, siç theksoi Dako, do të jenë vite të jetësimit të projekteve të mëdha, por edhe të ndihmës e mbështetjes së njerëzve në nevojë.

Por këto projekte, sipas Dakos do të realizohen vetëm nëse banorët e Durrësit do të votojnë masivisht me datën 21 qershor në drejtimin e duhur.

“Ky mandat do të jetë mandati i njerëzve në nevojë”, tha z.Dako, duke theksuar se “janë të shumtë njerëzit të cilët kanë problem ekonomike apo pamundësi të tjera, prandaj ne do t’i mbështesim ata duke i ofruar shërbime tre herë më shumë se deri tani dhe fondi për këto familje do të jetë tre herë më lart”.

“Do të vazhdojmë jo vetëm ndërtimin e dhe asfaltimin e rrugëve, jo vetëm me përmirësimin e infrastrukturës, të cilat janë punë të përditëshme tonat, por do të realizojmë një zhvillim të madh për Durrësin për të hapur vende të reja pune, për të zbutur varfërinë dhe për të arritur një perspektivë për këtë qytet”, është shprehur Dako.

“Të jeni të sigurtë që këto arrihen vetëm nëpërmjet votës tuaj më 21 qershor, e cila nuk duhet të jetë vetëm e juaja që jeni këtu, por e të gjithë miqve dhe njerëzve të dashur që ju keni. Për të bërë të mundur daljen në votim, për të respektuar demokracinë e për t’i dhënë një leksion edhe Evropës, se ne jemi një vend demokrat, jemi një vend që e duam dhe respektojmë demokracinë, se ne nuk jemi një vend që jemi në krizë që të abstenojmë në këto votime. Prandaj kërkoj pjesëmarrje të gjerë në votime, dhe vota të shkojë në drejtimin e duhur,” – tha Vangjush Dako në këtë takim.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: