BRUKSEL- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën kanë zhvilluar takimin e fundit të ndërmjetësuar nga BE për normalizim të raporteve mes dy vendeve.

Ndonëse nga takimi dolën pa finalizim të ndonjë prej marrëveshjeve të diskutuara, palët u shprehën optimiste se ka përafrim qëndrimesh.

Ndër temat më kryesore që është duke u diskutuar kohës së fundit, është ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, asociacion për të cilin Kosova po insiston që të ketë përgjegjësi të një OJQ-je, ndërkaq Serbia po insiston që ky asociacion të ketë përgjegjësi më të mëdha sesa që kanë komunat aktualisht në Kosovë, shkruan “koha.net”.

Mirëpo, burime të Koha.net, të afërta me takimin e djeshëm, kanë bërë me dije se palët janë dakorduar “100 për qind” për të gjitha marrëveshjet, atë të Asociacionit (Bashkësisë) të Komunave Serbe, telekomunikacionin, energjetikën dhe barrikadën mbi urën e Ibrit në Mitrovicë dhe se të hënën pritet vetëm nënshkrimi i tyre.

“Palët janë pajtuar 100 për qind për të gjitha çështjet që janë diskutuar në takimin e djeshëm. Të hënën do të mbahet takimi i radhës ku vetëm do të bëhet nënshkrimi i tyre”, ka thënë ky burim për “Koha.net”.

Ndërkaq, po i njëjti burim ka theksuar se marrëveshjet janë që të gjitha në favor të Kosovës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb