Kukësi nuk është as i bukur e as dominues por për fatin e mirë të Shpëtim Duros, Flamurtari shpërdoroi pafund në një ndeshje ku mbase meritonin diçka më shumë. Kukësi i falet Mirlind Dakut, autorit të golit 3-pikësh por heroi i ekipit verilindorë ishte pa diskutim portieri Xhika. Makthet e dëmtimeve nuk i ndahen Kukësit as në këtë sfidë, ku si të mos mjaftonin mungesat e Obanor dhe Shkurtaj, Duro humbi edhe shërbimet e Abazajt i cili u largua nga fusha pas vetëm 11 minutash lojë.

Ndryshe nga se pritej, Kukësi kishte përballë një ekip të motivuar në maksimum, Flamurtari ishte dominues gjatë pjesës së parë duke krijuar disa raste për shënim, Sukaj dhe Hoxhaj ishin rrezik konstant në portën e Xhikës. E njëjti skenar edhe më fillimin e pjesës së dytë, Sukaj provoi në çdo formë për të shënuar golin e avantazhit, në minutën e 47-të Xhika u zgjat në limite duke grushtuar në këndore.

Pikërisht në momentin më të mirë të Flamurtarit, Kukësi kaloi në avantazh me Dakun, i cili ndoqi mirë aksionin duke dërguar topin në rrjetë në minutën e 57-të. Vlonjatët ishin dhe të pafat në këtë transfertë, në minutën e 65-të, Hoxhaj u ndal nga tranversa ndërsa një minutë më pas kërkoi golin e bukur por Xhika në pozicion mbajti në lojë 3-pikëshin e Kukësit. Daku kishte mundësinë e artë në minutën e 78-të për të shënuar golin e qetësisë por goditja e tij me kokë u ndal në transversë.

Vlonjatët dhe mbi të gjitha Sukaj provuan me çdo formë për të shmangur këtë humbje e cila i zhyt gjithnjë e më shumë në fundin e ftohtë ndërsa Kukësi e sheh vetën sërish në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit, të gatshëm për të përfituar nga çdo dhuratë e rivalëve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb